Gjykimi ndaj 29 të akuzuarve për bixhoz dhe shpëlarje parash, kërkohet që provat e propozuara nga PSRK të shpallen të papranueshme

Aktuale

Gjykimi ndaj 29 të akuzuarve për bixhoz dhe shpëlarje parash, kërkohet që provat e propozuara nga PSRK të shpallen të papranueshme

Më: 7 nëntor 2023 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj 29 të akuzuarve për bixhoz të paligjshëm dhe shpëlarje parash, disa nga mbrojtësit e të akuzuarve, kërkuan që provat e propozuara nga ana e prokurores speciale Habibe Salihu, të shpallen të papranueshme.

Lidhur me shkresën e Prokurorisë për administrimin e provave materiale, fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Burim Bytyqi, avokati Besnik Berisha tha se këto prova duhet të shpallen si të papranueshme, pasi që janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin.

Ai tha se si mbrojtës nuk ka në shkresat e lëndës aktvendimin për zgjerimin e hetimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe mbrojtësi i Flakron Maqanit, avokati Naim Rudari, tha se lidhur me aktakuzën e Prokurorisë sa i përket të akuzuarit Maqani për shpëlarje parash, përmes provave që do t’i dorëzojnë lidhur me gjendjen e llogarisë bankare, do të dëshmohet se nuk ka kryer atë vepër penale.

Kurse mbrojtësi i Nexhat Ejupit, avokati Rrahman Kastrati tha se edhe gjatë fazës së procedurës së kundërshtimit të provave dhe aktakuzës, janë bashkëngjitur prova përmes të cilave vërtetohet pafajësia e të akuzuarit Ejupi.

Gjithashtu edhe mbrojtësi i Nehat Ejupi, avokati Gazmend Rexhepi tha se provat e propozuara nga ana e Prokurorisë duhet të shpallen të papranueshme, posaçërisht raporti për zbatimin e urdhër kontrollit sepse sipas avokatit Rexhepi janë marrë si prova pa pasur aktvendim për fillimin e hetimeve.

Tutje, mbrojtësi i Besim Bllacës, avokati Artani Haziri tha se provat e propozuar nga Prokuroria janë si prova të përgjithësuara dhe se nuk janë specifikuar se cila provë për cilin të akuzuar flet.

Edhe mbrojtësja e Arbër Hotit, avokatja Teuta Xhema tha se kundërshton provat e propozuara, e me theks të veçantë raportet e transkriptit të përgjimeve, por se kundërshtimin më detajisht do ta bëjnë në fjalën përfundimtare.

Ndërkaq, mbrojtësi i Istref Veliqit, avokati Granit Vokshi tha se në provat e Prokurorisë kanë vërejtje se janë marrë shumë kohë para aktvendimit për fillimin e hetimeve dhe se prova e titulluar si raporti i kontrollit nuk është i qartë dhe për këto arsye, duhet të shpallen të papranueshme.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i Sabri Brahimit, avokati Arsim Billalli tha se e kundërshtojnë provën e raportit të urdhër-kontrollit dhe vërtetimit mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve pasi që klienti i tij ishte i licencuar për ushtrim të veprimtarisë së lojërave të fatit konform dispozitave ligjore në fuqi.

Kurse mbrojtësi i Sami Baliut, avokati Ilir Ramaj tha se si mbrojtës ka hasur në prova të papranueshme që flasin për periudhat e vitit 2016 2017, kurse aktvendimi për fillimin e hetimeve daton më 29 prill 2018.

Ndërkaq mbrojtësi i Burim Makiqit, avokati Reshat Millaku tha aktakuza e Prokurorisë më shumë fliste për një hetim administrativ sesa për veprat penale të organizmit të skemave pramidale e të shpëlarjes së parave.

Mirëpo, prokurorja Salihu iu përgjigj në pretendimet e avokatëve, duke thënë se palët me kohë janë pajisur me shkresat e lëndës dhe se ka aktvendim për zgjerim të hetimeve që theksohet edhe në aktakuzë dhe se ka vendimin që flet për provat e pranueshme dhe të papranueshme.

Paraprakisht, prokurorja Salihu së bashku me fjalën hyrëse kishte renditur edhe provat materiale që ia propozoi gjykatës për administrim, ku renditen dëshmitë e dëshmitarëve, raportet e ndryshme të ekspertizave nga Agjencia e Kosovës për Froenzikë, raportet e përgjimit, raportet e kontrollit në lokalet “Tip Sport”, Euro Game” , “Lumi Sport” dhe “Matrix shpk”, të cilat prova mbrojtja kërkoi të shpallen të prapranueshme.

Andaj, trupi gjykues në sesionin e pasdites njoftoi se për shkak të numrit të madh të provave të propozuara për administrim nga ana e Prokurorisë, ka qenë e pamundur kontrollimi i ligjshmërisë së tyre për një periudhë të shkurtër kohore.

Me këtë, kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi nxori aktvendim, me të cilin ndërpreu seancën, duke njoftuar se e radhës do të mbahet nesër (8 nëntor).

“Gjykata njofton palët se pas angazhimit për të bërë krahasimin e provave të propozuara nga Prokuroria në raport me urdhrat e gjykatës dhe duke pasur parasysh vëllimin e madhe të provave në këtë çështje penale, nuk është arritur që të përcaktohet se cilat prova duhet të administrojnë në këtë shqyrtim dhe duke pasur parasysh edhe kundërshtimet e paraqitura nga mbrojtja. Andaj, me qëllim të vlerësimit të saktë dhe të drejtë të secilës provë veç e veç, e duke pas parasysh edhe propozimin e Prokurorisë dhe kundërshtimin mbrojtjes, gjykata do të ndërpres seancës e sotme për të vazhduar nesër”, tha gjykatësi Krasniqi.

Ai theksoi se deri nesër do të vlerësohen të gjitha provat veç e veç, në raport me vlefshmërinë e tyre dhe pas kësaj gjykata do të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm.

Ndryshe, të akuzuarit Safet Kyqyku, Armend Danqeli, Ardian Kuqi, Zenun Zenuni, Besnik Aliu, Burim Bytyqi, Blerim Blakaj, Flakron Maqani, Naser Pervetica, Nexhat Ejupi, Nehat Ejupi, Hasan Ejupi, Besim Bllaca, Trimor Dushkaja, Driton Shabani, Burim Sadiku, Arber Hoti, Agron Limani, Blerim Imeri, Petrit Neziri, Avni Berisha, Afrim Rifati, Idriz Jakupi, Istref Veliqi, Sabri Brahimi, Sami Baliu, Ramadan Nebija, Burim Makiqi dhe Bekim Kyqyku, po përballen me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 27 tetor 2020, për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i parave”, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe për veprën penale “Ndihma”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat