KPK i shqetësuar, mban takim të jashtëzakonshëm

Aktuale

KPK i shqetësuar, mban takim të jashtëzakonshëm

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 15:11
KPK

Këshilli Prokurorial i Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, njofton se ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm për të diskutuar lidhur me hapat që do të ndërmerren pas miratimit të rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Agron Bekës, që është zgjedhur nga radhët e fakulteteve juridike në cilësinë e anëtarit të KPK-së.

Me këtë rast, KPK-ja ka shprehur shqetësimin e vet të thellë me rastin e pranimit të informacionit gjatë ditës së djeshme për miratimin e rekomandimit të këtij komisioni.

Bëhet e ditur se KPK-ja në takimin e sotëm diskutoi hollësisht aspektin procedural dhe ligjor lidhur me këtë iniciativë të Komisionit, që rezulton se Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit i Kuvendit të Kosovës, ka marrë veprime të ngutshme, pa shqyrtuar të gjitha provat, të cilat janë relevante për këtë iniciativë të tyren, prova këto, të cilat anëtari i KPK-së, Agron Beka, i ofroi sot në takimin e jashtëzakonshëm (me vëllim voluminoz), të cilat demantojnë plotësisht të gjitha pretendimet e potencuara nga iniciatorët në Komisionin për Legjislacion, për shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

“Në mesin e shumë provave voluminoze që ofroi z.Beka ishin edhe disa dëshmi të komunikimit zyrtar me zyrtarët e lartë dhe kompetentë në institucione të rëndësishme shtetërore, të cilët, paraprakisht, ka më shumë se një vit që janë njoftuar mbi keqpërdorimet në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, e të cilët deri sot e kësaj dite nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i parandaluar pasojat negative evidente, përkundrazi, mosveprimi i tyre ka shkaktuar krijimin e situatave për inicimin e procedurave në organet e sistemit të drejtësisë”.

Tutje u tha se bazuar mbi këto që u cekën më lart, në takimin e jashtëzakonshëm të KPK-së, u tha se, të gjitha pretendimet e tjera të potencuara në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, demantohen nga provat që janë prezantuar para Këshillit Prokurorial nga anëtari joprokuror i KPK-së, në takimin e jashtëzakonshëm të mbajtur, sot, më 29 shtator 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat