Shoqëria civile ankohet për jotransparencë në përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e OSHP-së

Aktuale

Shoqëria civile ankohet për jotransparencë në përzgjedhjen e një anëtari në Bordin e OSHP-së

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 17:47
Prishtina

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe INDEP-i janë shprehur të shqetësuar për mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies në procesin e intervistimit të kandidatëve për pozitën e një anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Në një reagim publik të bërë të enjten, konsorciumi i shoqërisë civile “CorrWatch” ka thënë se më 20 shtator të këtij viti ishin planifikuar intervistat për dy kandidatë për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të OSHP-së, por monitorimi i procesit nga CorrWatch është kushtëzuar nga ana e organit të pavarur përzgjedhës, “për shkak të kërkesës së tyre për nënshkrim të Deklaratës së Konfidencialitetit”.

“Me nënshkrimin e Deklaratës së Konfidencialitetit, CorrWatch do detyrohej që këtë procedurë ta trajtojë në mënyrë konfidenciale, dhe rrjedhimisht, i pamundësohej publikimi i informacionit në rastin kur mund të ketë shkelje potenciale gjatë këtij procesi. Sipas organit përzgjedhës, ndarja e çfarëdo informacioni lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi, pas nënshkrimit të deklaratës në fjalë, nënshkruesi i saj do të mbante përgjegjësi penale. Një kushtëzim i tillë dhe përmbajtja e deklaratës nuk ka asnjë bazë ligjore”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

CorrWatch ka shtuar se qasja dhe përdorimi i një deklarate të tillë të konfidencialitetit për këtë pozitë rekrutuese minon transparencën, llogaridhënien dhe në të njëjtën kohë dëmton besimin e qytetarëve në institucionet tona publike. Ndër të tjera, praktika të tilla lënë hapësirë të madhe për keqpërdorim përgjatë procesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat