Brahimi: Ndaluam mbi 60 objekte të larta pa leje në Mitrovicë, nuk i frikësohemi askujt

Aktuale

Brahimi: Ndaluam mbi 60 objekte të larta pa leje në Mitrovicë, nuk i frikësohemi askujt

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 11:06
Mitrovicë

Mbi gjashtëdhjetë objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, janë ndërprerë gjatë këtyre dy viteve nga ana e Inspeksionit në Mitrovicë, për shkak të mungesës së lejes ndërtimore, ndërsa Mitrovica është komuna e parë në vend e cila i ka ndërprerë pothuajse në tërësi ndërtimet pa leje.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Inspektoratit në Komunën e Mitrovicës, Valon Brahimi, duke deklaruar se tendenca e disa biznesmenëve të caktuar për të interferuar në Drejtorinë e Inspeksionit është e kotë, pasi sipas tij, inspektorët komunalë janë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm dhe nuk i frikësohen askujt.

“Pothuajse asnjë objekt i ndërtimeve të larta nuk ka mundësi që të funksionojë as edhe në fazën e parë pa u pajisur paraprakisht me dokumentacion relevant, që nënkupton lejen ndërtimore nga Urbanizmi… Janë diku mbi 60 objekte të larta, por edhe të ndërtimit të ulët, të cilat i kemi ndërprerë në mungesë të lejes ndërtimore. Mund të them me përgjegjësi shumë të lartë se në qytetin e Mitrovicës dhe lagjet përreth nuk ka ndërtim që është duke u zhvilluar pa leje. Ndoshta mund të ndodhë në ndonjë fshat në periferi të Shalës së Bajgorës, Vllahi, ose diku tjetër që mund të na ikin si raste, por jo edhe si raste për trajtim… Realisht në fillim ka qenë njëfarë lloj rezistence nga ana e tyre (biznesmenëve), ndoshta kanë pasur të drejtë, e them në aspektin figurativ, duke pasur parasysh se në të kaluarën qeverisjet e kaluara kanë hyrë në negociata të arsyeshme dhe të paarsyeshme,… Çdokush duhet ta dijë se në Mitrovicë që nga 28 dhjetori i vitit 2021 në Inspeksion kemi vendosur një standard që nuk ka qenë më parë… Është e kotë tendenca e disa ndërtuesve ose biznesmenëve të caktuar që mendojnë se… në një formë apo ndonjë formë tjetër mund të interferojnë në Drejtorinë e Inspeksionit. Jemi thjeshtë të pashantazhueshëm, të pathyeshëm ndaj ligjit, nuk i frikësohemi askujt përveç ligjit, dhe do të vazhdojmë punën vetëm mbi bazën e ligjit dhe në funksion të përgjithshëm të interesit qytetarë”, ka deklaruar Brahimi.

Sipas drejtorit komunal, puna e inspektorëve është shumëdimensionale e problemet që nuk zgjidhen nëpër drejtori të tjera, gjejnë zgjidhje te ajo e Inspeksionit.

“Ne kemi në dispozicion 17 inspektorë, kemi nevojë edhe për po aq inspektorë, për shkak të numrit të madh të problematikave të cilat shtrojnë nevojën për trajtim në këtë qytet, mirëpo ne jemi në disa faza duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së numrit të inspektorëve, dhe besoj se deri në fund të vitit, ose në fillim të vitit të ardhshëm, ne do ta rrisim numrin e inspektorëve për 27 inspektorë… Nuk do të thotë se jemi duke i kryer punët 100 për qind, sepse gjithmonë ka hapësirë për përmirësime, por e rëndësishme është se ne po bëjmë përpjekje për ta bërë më të mirën për qytetin”, ka deklaruar Brahimi.

Duke përmendur sfidat në punën e tyre dinamike, Brahimi përveç sektorit të ndërtimit, ku ka thënë se çdoherë ka tendencë të ndërtuesve për anashkalimin e procedurave, ka potencuar edhe përgjegjësinë e mbrojtjes së konsumatorit në sektorin e tregut, pastaj numrin e vogël të inspektorëve, që si rrjedhojë pamundëson menaxhimin e plotë të rasteve, raporton Kosovapress.

“...Ne kemi ndërprerë të gjitha ndërtimet pa leje, por çdoherë kemi tendencë të ndërtuesve që t’i anashkalojnë procedurat ligjore… Një sfidë tjetër është çështja e rritjes së stafit… Në fazat e para kur kam ardhur si drejtor ka pasur kërcënime. Normalisht kanë ngelur vetëm në suaza të tentativave… Ajo që është e rëndësishme është se në kohën e qeverisjes së tanishme, do të thotë të Bedri Hamzës, e them me përgjegjësi të plotë se kurrë më herët nuk ka pasur më shumë rend dhe ligj, dhe punët që janë duke ndodhur tani, më herët nuk kanë ekzistuar’, ka thënë kryeinspektori Brahimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat