Gashi: Po punojmë në forcimin e subjektivitetit të Kosovës

Aktuale

Gashi: Po punojmë në forcimin e subjektivitetit të Kosovës

Më: 26 korrik 2023 Në ora: 00:22
Liza Gashi

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Liza Gashi, në magazinën “Lajmet e fundit”, ka folur për organizimin e një varg ngjarjesh kushtuar diasporës, më konkretisht lansimin e platformës “Shijo Kosovën”, por edhe për rrugëtimin e Kosovës në intergimet euroatlantike.

Zëvendësministrja Gashi foli për platformën “Shijo Kosovën”, që, sipas saj, është një platformë bashkëpunuese që ndërlidhë aktivitetet e ndryshme që kanë komunat e Kosovës, OJQ-të si dhe festivalet e ndryshme që organizohen këtu.

Synimi kryesor, sipas saj, është një rrugëtim që kemi filluar një dialog me mërgatën, që si qëllim ishte ofrimi i zërit të mërgatës në kuadër të politikave që ndërlidhen me kërkesat e tyre.

“Kërkesa kryesore e mërgatës ka qenë aktiviteti veror që mundëson ndërlidhjen e fëmijëve të tyre me Kosovën, përtej gjirit familjar”, tha Gashi, në “Lajmet e fundit, në RTK.

Gashi sqaroi se në kuadër të kësaj platformë janë 17 organizata të Shoqërisë Civile, kryesisht të edukimit joformal, derisa shtoi se platforma në përbërjen e vet ka 5 shtylla kryesore.

“Qëllimi është që të lidhen me Kosovën, që është sa argëtues, aq edhe edukative”, shtoi zëvendësministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Liza Gashi.

Tutje, ajo foli për kërkesat e ndryshme të mërgatës, duke filluar në ofrimin aftësive të tyre në sferën profesionale në të mirë të vendit, si dhe një varg kërkesash tjera që kanë të bëjnë me karakterin shkencor, por edhe në sferat tjera.

Zëvendësministrja Gashi më tej shtoi se ndërlidhja e mërgatës me Kosovën është në forma të ndryshme, në të gjitha anët, që, sipas saj, nuk nënkupton vetëm kthimin fizik të bën të lidhesh me vendin.

Ajo, mes tjerash, përmendi disa nga ministrat e zëvendësministrat në Qeverinë Kurti, që vijnë nga mërgata.

Gashi foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE, si dhe për njohjen e shtetit tonë në forcimin e subjektivitetit të Kosovës,që, sipas saj, bëjnë një punë të dendur.

“Pjesa e njohjeve është një prej pjesëve kryesore në rrugëtimin tonë në kuadër të forcimit të subjektivitetit të Kosovës dhe të shtetformimit”, deklaroi Gashi, teksa shtoi se vazhdimisht punojnë në atë drejtim në regjione specifike, që Kosova të  ketë sa më shumë kontakte me vendet jo-njohëse.

“Target i yni janë 5 shtetet e Evropës, që nuk njohin shtetin e Kosovës, ngase ato janë pengesë kryesore në rrugëtimin tonë në strukturat euroatlantike”, deklaroi zëvendësministrja për Punë të Jashtme e Diasporë Liza Gashi në ‘Lajmet e fundit”, në RTK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat