16 vjet nga deklarata e famshme e G. W. Bush: Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur

Aktuale

16 vjet nga deklarata e famshme e G. W. Bush: Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 15:09
George W. Bush

Sot, bëhen plot 16 vjet nga vizita e parë e një presidentit amerikan në Shqipëri. Ish-presidenti amerikan George W. Bush gjatë kësaj vizite e dha deklaratën më të fortë që ndonjë politikan e kishte dhënë në mbështetje të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për ta shpallur shteti.

“Mjaft është mjaft, Kosova duhet të jetë e pavarur”, ishte deklarata e presidentit Bush, që lumturoi tërë shqiptarët.

Por, sot 16 vjet më pas marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kanë qenë kurrë më të brishta dhe të ftohta se këto ditët e fundit. Kjo për shkak të veprimeve të pamatura dhe kokë në veti të kryeministrit, Albin Kurti i cili pa u koordinuar me SHBA-në, i dërgoi forcat elite të Policisë së Kosovës për të ruajtur objektet në katër komunat veriore të vendit, te banuara kryesisht me serbë dhe për të mundësuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë.

Nga dhuna e serbëve u lënduan dhjetar ushtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s, policë e gazetarë.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së, Albin Kurti nuk pranoi që të tërheq policinë nga atje.

Kjo bëri që diplomatë të rëndësishëm amerikanë të tentojnë ta bindin atë. Mes tyre edhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, deklaratat e të cilit Kurti i quajti të ngutshme e naive.

Edhe më joseriozisht Kurti i mori këshillat e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

SHBA ka paralajmëruar sanksione për Kosovën, shtetin që e ndihmuan të bëhet.

Faza e parë e sanksioneve do të parashihte ngrirje të fondeve të BE-së, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e pranimit në Këshill të Evropës, fondet e SHBA-së dhe projekte të tjera të perëndimorëve.

Faza e dytë do të parashihte që aleatët e Kosovës të ndërmarrin qasje pasive ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, si dhe riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare e reduktim serioz të kontingjentit amerikan dhe përjashtim të Kosovës nga organizata të caktuara ndërkombëtare.

Po ashtu është paralajmëruar se mund të ketë sanksione ndaj Kurtit e Sveçlës. Të dy mund të shpallen “non-grata me arsyetimin se janë kërcënim për sigurinë dhe paqen”.

Në dokument thuhet se “komuniteti transatlantik ka një nevojë jetike për të mos lejuar një krizë tjetër… Me nisjen e planit franko-gjerman, ekzistonte bindja se do të lindnin probleme me palën serbe, si një anë kokëfortë dhe jokonstruktive.”

Aty thuhet se “askush nuk priste që Qeveria e Kosovës do të ishte ajo, që me veprimet e veta, do të promovonte pasiguri e do të nxiste krizë dhe konflikte”.

Sipas tekstit, komuniteti perëndimor ka humbur durimin dhe kërkon “përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës, nëse është apo jo partnere e bashkësisë transatlantike”.

Aty thuhet se të qenit partner nënkupton përmbushje e pakusht e të gjitha obligimeve dhe “dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”.

Dokumenti ka kritikuar Qeverinë dhe opozitën. “Kanë dështuar të kuptojnë thellësisht seriozitetin e situatës dhe rrezikun real për Kosovën”, thuhet në të, sipas “Euronews Albania”. Për opozitën është kërkuar qëndrim i qartë dhe deklarativ nëse është apo jo për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në dialog. “Fakti që opozita nuk e bën këtë nxit mosbesim dhe oportunizëm”, thuhet në dokument.

Në fund të tekstit thuhet se “nëse Kosova dështon t’i përmbushë obligimet, e rrezikon të ardhmen e vet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat