Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e qeverisjes së migrimit

Aktuale

Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e qeverisjes së migrimit

Më: 23 maj 2023 Në ora: 10:41
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferenca për lansimin e projektit: “Zgjerimi i Qeverisjes së Migrimit nëpërmjet programimeve të bazuara në evidenca dhe Forcimi i Kapaciteteve të Autoriteteve të Migrimit në Kosovë”.

Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kollly, shefja e IOM-it në Kosovë, Annna Rostocka, përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe organizata partnere në Kosovë.

Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla fillimisht falënderoi shtetin dhe popullin Zviceran për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për vendin dhe institucionet e Kosovës ndër vite. Ai tha se Zvicra ka qenë dhe mbetet ndër partnerët tonë kryesore drejt zhvillimit të shtetit tonë dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës, rajonin dhe më gjerë. Zhvillimet e ndryshme sidomos luftërat dhe konfliktet detyrojnë largimin dhe migrimin nga vendet e ndryshme të botës, të cilët lëvizin përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, prioriteti jonë ka qenë dhe mbetet parandalimin i migrimit të parregullt, duke luftuar grupet kriminale që merren me kontrabandim me migrantë, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën dhe përmirësuar shërbimet për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të migrantëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare”, theksoi ministri Sveçla.

Sveçla vuri në dukje se projekti që po lansohet sot është i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave në fushën e migrimit.

Vlera e projektit është 2.1 milion franga zvicerane dhe e financuar nga Konfederata Zvicerane  që do të realizohet nga organizata për migrim IOM.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat