Trekëndëshi Rugova, Demaçi dhe Qosja, ku dhe pse qëndronte Avni Spahiu?

Aktuale

Trekëndëshi Rugova, Demaçi dhe Qosja, ku dhe pse qëndronte Avni Spahiu?

Më: 13 maj 2023 Në ora: 22:54
Avni Spahiu

Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN”, në Klan Kosova, foli për disa nga figurat e rëndësishme të politikës në Kosovë para dhe pas çlirimit të vendit, kryesisht për Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Rexhep Qosjen.

Spahiu në këtë ‘trekëndësh’ atë kohë ishte parë si një urë lidhëse mes tyre. Ai u shpreh se ka pasur përpjekje nga vetë ai që në momente kur kishin perceptime të kundërta, të gjente një rrugë që t’i afronte për shkak të rrethanave që gjendej Kosova.

Ndërsa shtoi se te të tre i kishte parë vlerat që përfaqësonin.

“Unë thjesht kam dashur të gjendem pranë, edhe si detyrë e imja e një intelektuali që duhet të jetë i pranishëm dhe të përpiqet të japë kontributin e vetë në rrethanat kur këtë e kërkon koha dhe kombi dhe të përpiqet të jep më të mirën. Në këtë aspekt te Rugova kam gjetur një artikulues të mendimeve, të ideve të njëjta rreth atij momenti historik, dramatik në të cilin kalonte kombi. Kam pasur raporte të mira edhe me Qosen, profesorin e nderuar, por natyrisht edhe me simbolin e rezistencës zotëri Demaçin. Gjithmonë kam dashur që të jem një person koheziv, domethënë që bëjë përpjekje edhe t’i afroj, ka pasur edhe përpjekje kur kam biseduar edhe me profesorin që edhe për hir të rrethanave shumë motive personale të lihen prapa dhe të shikohet një mënyrë afrimi. Dhe ka pasur momente kur me të vërtet janë afruar, por edhe momente të largimit të tyre”, u shpreh Spahiu.

Ambasadori tha se të gjitha këto çështje nuk e kanë prishur lëvizjen, por kanë shërbyer që të ndërtohet fryma demokratike me qëllim çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një identiteti të Kosovës së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat