​Asnjë votues në pesë qendra të votimit në veri

Aktuale

​Asnjë votues në pesë qendra të votimit në veri

Më: 23 prill 2023 Në ora: 18:08
Foto ilustrim

Shumica e serbëve në katër komunat në veri të Kosovës duket se po i bojkotojnë zgjedhjet e parakohshme lokale në atë pjesë. Nga 45,095 qytetarë me të drejt vote, deri në orën 15:00, kanë votuar vetëm 1092 persona. Ndërkohë, nga 19 qendra të votimit, në pesë qendra nuk ka shkuar asnjë qytetarë për të votuar.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, deri në këto momente asnjë qytetarë nuk ka shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar në dy qendra të votimit në Zubim Potok, pastaj në dy qendra të votimit në Leposaviq dhe një qendër në Zveçan.

Në veri sot janë hapur 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 janë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”, ku qytetarët kanë mundësi të zgjedhin katër kryetarët e komunave dhe në dy prej tyre edhe asambleistët.

Në dhjetor të vitit 2022, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ndikuar nga situata e brishtë e sigurisë, mori vendim për të shtyrë për disa muaj datën e zgjedhjeve, nga 18 dhjetori në 23 prill.

Që nga shpallja e datës së re të zgjedhjeve, partia më e madhe serbe, Lista Serbe, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të bojkotojnë këto zgjedhje. Njëjtë ka vepruar edhe shteti serb, presidenti i të cilit, Aleksandër Vuçiq edhe personalisht ka përsëritur thirrjet për bojkot, duke pretenduar se vetëm “100 serbë” do të marrin pjesë në to.

Vetëm tri ditë para ditës së zgjedhjeve, njëra nga subjektet politike serbe, Partia Kosovskih Srba (PKS) është tërhequr nga gara zgjedhore. Kandidati i saj për kryetar të Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviq dhe 18 kandidatët për asamblenë e kësaj komune, janë tërhequr nga procesi zgjedhor.

Në përgjithësi, numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave është 11, ndërsa më shumë se 60 kandidatë janë certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për dy kuvendet komunale.

Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Leposaviqit në garë janë: Albulena Hetemi Behluli (PDK) Aleksandër Jablanoviq (PKS) dhe Lulzim Hetemi (VV).

Në Zubin Potok gara zhvillohet mes dy kandidatëve, Izmir Zeqirin nga PDK dhe Flatron Hasanin e Vetëvendosjes.

Në Zveçan kandidojnë Ilir Peci nga PDK-së, Fetah Peci nga VV, ndërsa Sladjana Pantoviq është kandidate e pavarur.

Në zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Veriut garojnë Iniciaitva Qytetare Mitrovica me kandidatin Betim Osmani, PDK me Taulant Kelmendin dhe Vetëvendosje me Erden Atiq.

Kurse, në zgjedhjet për dy kuvendet komunale, Partia Demokratike e Kosovës garon me 16 kandidatë në Zveçan dhe 2 në Leposaviq, e Lëvizja Vetëvendosje me 10 kandidatë në Zveçan dhe 18 në Leposaviq. Nga radhët e komunitetit serb, vetëm Partia Kosovskih Srba ka rreth 20 kandidatë në garë për kuvendin e komunës së Leposaviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat