Reshitaj i përgjigjet Konjufcës: Nuk punoj për mëditje, më vjen keq për deklaratën tuaj

Aktuale

Reshitaj i përgjigjet Konjufcës: Nuk punoj për mëditje, më vjen keq për deklaratën tuaj

Më: 8 mars 2023 Në ora: 16:37
Albena Reshitaj

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se i vjen keq që kryekuvendari Glauk Konjufca, tha sot se ajo do të mbetet pa mëditje nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Në mbyllje të seancës së sotme plenare, Konjufca i bëri thirrje administratës që deputetes Reshitaj të mos i takojë asnjë mëditje.

“E po ashtu i propozoj administratës që deputetes Albena Reshitaj të mos i takojë sot asnjë mëditje sepse hyri në seancë, qëndroi vetëm 10 sekonda, doli, kështu që nuk ka kështu”, tha Konjufca.

Por, Reshitaj e kontaktuar tregoi se nuk ka pasur informacione se opozita ka lëshuar sallën në momentin kur ajo ka arritur në Kuvendin e Kosovës. E mohoi se ka qëndruar për aq sa ka thënë Konjufca.

“Më erdh keq shumë prej tij, e seancat i qesin kur t’iu konvenon atyre”, tha ajo.

Ajo tregoi se të mërkurën është e obliguar me ligjerata në Fakultetin e Mjekësisë dhe porsa ka mbërritur në 13:30 në Kuvend, e ka parë që deputetët opozitarë kanë lëshuar sallën.

“Kam obligime tjera, kam ardhur në seancë se s’kam qenë e informuar që opozita ka dalë nga Kuvendi”, shtoi ai.

Mes tjerash, ajo tha se nuk ka pasur informacion zyrtar nga Grupi Parlamentar i AAK-së se do ta lëshojnë sallën e sotme të Kuvendit.

Ligjvënësja opozitare tregoi se deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila i ka shkruar se “a do të vini në Kuvend për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Për shkak të ligjëratave, unë vij në ora 13:30 vij në seancë”, theksoi ajo, teksa përsëriti sërish keqardhjen e saj për deklaratën e Konjufcës.

Reshitaj përmendi se nuk punon në Kuvend për mëditje dhe se kjo nuk ka fare rëndësi.

“Kam qenë në seance duke mos e ditur se opozita ka dalë, jam interesuar dhe kam menduar se janë në byfe. Më pas, kam kuptuar se nuk kanë qenë brenda”, u shpreh ajo.

Megjithatë, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i administratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat