Apeli dëmshpërblen prindërit e Diana Kastratit me 30 mijë euro, reagon nëna e saj: Vajza e gra, ky akt është me prapavijë

Aktuale

Apeli dëmshpërblen prindërit e Diana Kastratit me 30 mijë euro, reagon nëna e saj: Vajza e gra, ky akt është me prapavijë

Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 11:33
Diana Kastrati

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të paguajnë 30 mijë euro dëmshpërblim prindërve të të ndjerës, Diana Kastrati, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Adnon Jashari, më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë.

Në aktgjykimin e Apelit të datës 10 shkurt, thuhet se detyrohen të paditurat, Këshilli Gjyqësor dhe Qeveria që të kompensojnë dëmin jo-material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore të prindërve të Kastratit, për shkak të privimit nga jeta të vajzës së tyre, në vlerë totale prej 30 mijë eurosh.

“Detyrohen të paditurat Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës të dy me seli në Prishtinë, që në emër të kompensimit të dëmit jo material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore, për shkak të privimit nga jeta të vajzës së paditësve, të ndjerës Diana Kastrati nga Prishtina, me datën 18.05.2011 në Prishtinë, nga ish bashkëshorti i saj, Adnon Jashari nga Prishtina, SOLIDARISHT t’ua kompensojnë paditësve Gëzim dhe Makfire Krasniqi të dy nga Prishtina, shumën totale prej 30,000 euro (tridhjetë mijë euro)”, – thuhet në aktgjykim.

Ndaj këtij aktgjykimi ka reaguar Makfire Kastrati, nëna e Diana Kastratit.

Ajo, përmes llogarisë së saj në Facebook, ka thënë se familja e saj ka ngritur padi për moskryerje të detyrës nga ana e institucioneve për mbrojtjen e vajzës së tyre.

Ajo ka thënë se kompensimi nuk është bërë solidarisht siç thuhet në aktgjykimin e Apelit.

“Paret e botes s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familes Kastrati. Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, unë nëna e Diana Kastratit, Makfire Kastrati e jo Krasniqi siç e keni shkruar ju (analfabetë ordiner) i kam ca fjalë për ju. Ju, në publikatën tuaj, keni thënë “në emër të kompensimit jo material për dhimbjet e përjetuara shpirtërore” prapë analfabetë. Familja Kastrati ju ka padit për moskryerjen e detyrës tuaj, për dështimin ne punen tuaj. JU i keni duart e përgjakura njëjtë si ata kriminelë duke dështu e dështu. Ju që sot thuani solidarisht, gënjeni se ju nuk na keni ofruar asgjë SOLIDORAISHT. Ju dështuat ta mbroni vajzën time, jo solidarisht, por që është punë e juaja”, ka shkruar ajo.

Ajo ka shkruar se të hollat me të cilat ata kompensohen përmes vendimit, nuk mund t’i paguajnë përjetimet shpirtërore të tyre dhe se me to planifikon që t’i ndihmojë gratë në nevojë.

Postimi i plotë:

Paret e botës s’mund të kompensojnë dëmet emocionale të familjes Kastrati. I kam ca fjalë për ju: këshilli gjyqësor i Kosovës dhe qeveria e Republikës së Kosovës, unë nana e Diana Kastratit, Makfire Kastrati, e jo Krasniqi siç e keni shkruar ju (analfabet ordiner).

Ju, në publikimin tuaj, keni thënë “në emer të kompensimit jo material per dhimbjet e përjetuara shpirtërore”, desha t’ua sqaroj që familja Kastrati ju ka paditur për mos kryrjen e detyres tuaj, per deshtimin ne punen tuaj…e për të cilën paguheni dhe jeni paguar nga taksat tona, madje edhe nga taksat që ka paguar vet Diana. JU, i keni duart e përgjakura, po aq sa kriminelët që e kanë kryer krimin. Ju, pikë së pari keni dështuar t’i ofroni mbrojtje vajzës sime, përkundër që ju përgjëruam, përkundër që ishit të thirrur ta mbronit. Madje edhe dështuat të solidarizoheshit me vet rastin!

Ju, keni dekurajuar me vite e vite, gra e qytetarë të Kosovës që të vijnë për të kerkuar shërbimin tuaj, sepse për ndihmë tuajen as që bëhet fjalë. Shërbim për të cilin paguheni dhe ushqeni familjet e fëmijët tuaj!

Ju, qe sorrollateni kafeveneve dhe nuk gjeni motivin as edhe një komunikatë ta shkruani si duhet.

Ju, udhëheqës, të padobishëm, të mjerë e gënjeshtarë, mos vallë “SOLIDARISHT” paskeni dashtë të na ndihmonit? Unë, nëna e Dianës, pas 11 vitesh ndihem e turpëruar për juve, ndjej keqardhje dhe neveri, pikëllim, dëshpërim e trishtim. Familja Kastrati ju ka hedh ne gjygj për neglizhencë dhe dështim të kryerjes së punës të cilën jeni të obliguar me ligj ta kryeni dhe e ka fituar gjyqin. A e dini cka do te thotë kjo? Pasuria e botës nuk mund të shëroj apo lehtësoj dhimbjen e prindit kur e humbë fëmijën. Në asnjë rast, familja Kastrati nuk ka kërkuar kompensim për dëme emocionale, sepse te fundi i fundit ky do ishte një absurditet, njejtë sikurse komunikata tuaj. Familja Kastrati ka kërkuar që drejtësia të shkoj në vend për ata që kanë dështuar të kryejnë punën e tyre, sic duhet të kërkojë cdo qytetar kur shteti dështon të bëj punën e vet. Te ju dëmtoj me një mënyrë që është e vetmja që juve ju dhemb, që të keni me pak për darka e raki kafeneve të qytetit. Te ju bej të mendoni se edhe familje të tjera qe kan humbë fëmijë, per shkak dështimit tuaj, mund te ju dëmtojnë njejtë, e buxheti për veturat e hotelet tuaja luksoze të jetë më mangët e më i paktë cdo ditë. Ju, që nuk ofroni siguri as në trafik, as në shkollë, as në spital e as ne burg…Ju, që jeni të dehur 24/7 nga fuqia e pushtetit dhe mendoni se jeni të paprekshëm. Qytetarët e Kosoves, në vecanti gratë, që fatkeqesisht humbin jeten cdo ditë, nuk udrejtohen juve, ngase e dinë se sa të pa afte, neglizhues e injorantë jeni. Aq injoranrë, sa as shkrim dhe lexim s’dini.

Ju, që pas më shumë se 10 vitesh, talleni “solidarisht” me gjendjen tonë emocionale dhe shpirtërore. Gënjeshtarë! Avokatet tane qe kanë drejtuar procesin, na kane keshilluar që kjo është menyra më e mirë për me i vetedijësu gjyqtarët, (analfabetët, që nuk e mësuan punën e tyre as në shkollë e as në praaktikë). Jemi këshillu që neglizhuesit duhet të dëmtohen e viktimat të kompensohen…dhe e gjithë kjo ishte bërë edhe për një qëllim tjetër, që unë, nana e Dianës, të mund të ndihmoja gra të tjera në nevojë, realisht të bëja punën tuaj, pa “shkollen” tuaj, por me një ndergjegje të paster e fisnike. Ju edhe po të donit, edhe po të kishit 100 jetë, asnjëherë nuk do të mund të paguanit dëmet apo përjetimet tona emocionale, sepse për ne jeta e njeriut nuk ka cmim.

Fatkeqesisht edhe ky shkrim mund të jetë dekurajim për shumë gra në nevojë, per ato gra që cdo ditë luftojnë me jete a vdekje, per ato gra qe kur kanë nevojë më së shumti për juve, ju i zhgënjeni sepse edhe ato vet e dinë se jeni të PA DOBISHËM.

Mua vajza më është vrarë dy herë…për herë të parë nga vet ju, kur ju shtrimë dorën për ndihmë dhe mbrojtje dhe ju na kthyet shpinën sikur edhe shumë e shumë të tjerave. Ju jeni më kriminel se kriminelët, ju jeni genjeshtarë të pacipë dhe analfabetë të pashoq.

Me falni vajza e gra, por prapavija e këtij akti të qeverisë është të ju lë pa zë, të ju shtypë kokën që ju të mos kërkoni ndihmë, të mos nisni procese të shpëtimit të vet jetës suaj, por edhe po e nisët ata do ju zvarrisin me vite e vite nëpër gjykata vetëm për tu tallur dhe për t’ju gënjyer paturpësisht.

Mua s’më mbetët tjetër pos të ju them që ne do shihemi sërish në gjyq për shtrembërim të procesit dhe lëndës në tërësi, e po ashtu edhe për gënjeshtrat se “solidarisht” keni ofruar ndihmën që pretendoni se e keni bërë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat