Peleshi flet për situatën në veri të Kosovës: Tensioni është rritur, një nga shqetësimet kryesore…

Aktuale

Peleshi flet për situatën në veri të Kosovës: Tensioni është rritur, një nga shqetësimet kryesore…

Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 12:10
Niko Peleshi

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi zhvilloi një bashkëbisedim online me të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në misione jashtë vendit. I shoqëruar edhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneral Brigade Arben Kingji, Ministri Peleshi i përgëzoi ata për kontributin dhe punën e bërë gjatë këtij viti tejet të ngarkuar për sigurinë dhe paqen në botë.

“Gjatë vitit që po lëmë pas, puna juaj dhe e FA dhe në veçanti e atyre që janë në misione ndërkombëtare ka marrë një tjetër përmasë. Ky ishte një vit me lajme jo të mira për sigurinë dhe paqen, ishte një vit kur skena e sigurisë u trondit për shkak të invazionit rus në Ukrainë dhe kjo bëri që siguria dhe paqja si domein të vendosen në qendër dhe të jenë prioritet i prioriteteve për të gjithë botën”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes.

Peleshi e nisi bisedën me misionin e Shqipërisë pranë KFOR në Kosovë, duke folur edhe për situatën e krijuar së fundmi në Veri.

“Së fundmi tensioni është rritur. Ju jeni pjesë e KFOR, e strukturës së NATO-s që garanton sigurinë. Të gjitha fenomenet që kërkojnë të krijojnë destabilitet në rajon janë derivat i asaj çka ndodhi në shkurtin e këtij viti në Ukrainë dhe vazhdon të jetë sot një nga shqetësimet kryesore të botës. Kjo ngjarje na vuri përpara detyra, të cilat nuk i kishim menduar në një kohë kaq të afërt, lidhur me modernizimin, lidhur me investimet në arsimim, në shtimin e prezencës sonë në misione ndërkombëtare, pra në ndërtimin e Force të Armatosur më të fortë, më të aftë dhe më shpresëdhënëse për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Shqipëri, por edhe në rajon, për të garantuar paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe në të gjithë hapësirën e Aleancës së NATO-s”, theksoi ministri Peleshi.

Ministri foli edhe për objektivat që Ministria e Mbrojtjes ka për vitin 2023. Teksa tha se nga janari i vitit 2023 do nisin punën dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”.

Ne në FA kemi shtuar disa domeine të reja. S’kemi pasur domeinin e hapësirës por sot kemi një shërbim ende modest por të rëndësishëm. Shërbimin satelitor përmes dy satelitëve “Albania 1” e “Albania 2″ që nga janari i vitit që vjen do nisin të na furnizojnë me informacione imazherie shumë të rëndësishme për emergjencat civile e rikonjicione”, tha Peleshi.

Ky është viti kur ne bëmë një ndryshim sasior dhe cilësor në shpërblimin e FA. Kemi rritur 30% pagat për të gjithë efektivët, nga ushtari bazë dhe deri te gradat më të larta. Angazhimi dhe premtimi i Kryeministrit për të patur një rritje të vazhdueshme dhe të përvitshme deri sa të arrijmë nivelin më të lartë në rajon do të realizohet. Vitin që vjen do e rrisim edhe 7 % të tjera pagën mbi atë 30% që u rrit gjatë vitit 2022”, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas tij, në 2023 fillon puna për ndërtimin e korpusit të Akademisë së FA, Ndërsa flota e Forcës Ajrore do të shtohet edhe me helikopterë të tjerë “Black Hawk”, duke e çuar në 6 numrin e helikopterëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat