Veriu i qetë, me barrikada e kufij të mbyllur

Aktuale

Veriu i qetë, me barrikada e kufij të mbyllur

Më: 13 dhjetor 2022 Në ora: 17:08
Foto nga vendngjarja

Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e njëjtë për të katërtën ditë, me rrugë të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët dhe me pikat kufitare të mbyllura nga Policia e Kosovës. Kjo e fundit njofton se pikë-kalimet janë mbyllur pasi që nuk ka liri të mjaftueshme të lëvizjes, nga vendosja e barrikadave në akset rrugore Jarinjë e Bërnjak.

Ekipi i RTK-së në vijimësi përcjellin ngjarjet në veriu i vendit. Edhe sot ekipet e RTK-së ishin deri në pikat kufitare me Serbinë, ku shihet pak lëvizjes e qytetarëve, por gjithashtu shihen patrulla të KFOR-it e policisë së EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës.

Paqeruajtësit e KFOR-it në një reagim për media thanë se situata në veri të Kosovës është e qetë, derisa kërkuan nga institucionet e Kosovës dhe Serbisë që çështjet t’i zgjedhin përmes dialogut.

“E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri”, thuhet në reagimin e KFOR-it

Policia e Kosovës njofton se rrugët mbesin të bllokuara e njëkohësisht edhe dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak.

“Që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, thuhet se me kohë ndërmerr masat e sigurisë, “masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat