Përplasje për doktoratën e U.D të Rektores së UP-së, paralajmërohet padi

Aktuale

Përplasje për doktoratën e U.D të Rektores së UP-së, paralajmërohet padi

Më: 25 tetor 2022 Në ora: 16:08
Foto ilustrim

Me nivel të ulët e plagjiat e quajti një ditë më parë në një intervistë televizive, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani punimin e doktoratës së rektores në detyrë, Luljeta Plakolli- Kasumi.

Ndaj kësaj deklarate të Hasanit ka reaguar publikisht vetë rektorja e UP-së në detyrë Luljeta Plakolli Kasumi që mandatin e përkohshëm e mori para 4 ditësh nga Këshilli Drejtues i UP-së, pas shkarkimit të rektorit Naser Sahiti.

Ajo ka shkruar se me avokatin është në diskutime për mundësitë ligjore që i ka për mbrojtje të dinjitetit profesional e njerëzor.

“Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare”, ka shkruar ndër të tjera Plakolli-Kasumi.

Ka thënë se i qëndron prapa çdo shkronje të shkruar aty, derisa ka shprehur gatishmërinë publike për tu përballur me çfarëdo vlerësimi mbi punimin.

“Jam në përgatitje e sipër të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë” ka shkruar rektorja në detyrë.

Në mbrojtje të saj ka dalë Rrjeti i Grave të Kosovës duke e dënuar gjuhën siç kanë thënë denigruese dhe shantazhuese ndaj Luljeta Plakolli Kasumi.

Debatin e orientuar kundër figurës personale të një gruaje profesoreshë të Universitetit të Prishtinës e kanë quajtur shembull të një qasjeje mizogjene dhe bulliste ndaj gruas si udhëheqëse në Kosovë. 

“Rrjeti i Grave të Kosovës nuk synon të ndërhyjë në zhvillimet që po ndodhin në UP, por nuk mund të qëndrojë në heshtje kur debatet kthehen në fyerje mizogjene dhe shantazhe të ulëta që rëndojnë mbi znj. Plakolli Kasumi vetëm sepse ajo është grua”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas këtij rrjeti, tendenca të tilla krijojnë përshtypjen që Kosova ende jeton nën pushtetin e një grushti burrash që kanë ‘autoritet’ të rrënojnë emrin e çdo gruaje që merr guximin të ushtrojë pozita të larta vendimmarrëse.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat