Nuk u përfshi në listën e përfituesve të ndërmarrjes “Rilindja”, reagon Krasniqi

Aktuale

Nuk u përfshi në listën e përfituesve të ndërmarrjes “Rilindja”, reagon Krasniqi

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 09:14
Milazim Krasniqi

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, bëri të ditur se nuk ka figuruar në listën e përfituesve të ndërmarrjes “Rilindjes”.

Ai tha pasi s’ishte i përfshirë në këtë listë, një mik i tij i ka sugjeruar që ta bëjë një ankesë.

Por, shtoi se i ka thënë që kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Thjesht, nuk dua të ankohem. Pse? Nëse ata zyrtarë nuk e dinë kontributin tim, nuk ia vlen as të ankohem e as t’i marrë ato para, që do të mund të më takonin nga ai farë privatizimi. Ne që u kemi rezistuar masave barbare të okupimit serb nuk mund të pranojmë të na poshtërojnë as ndoca nëpunës naivë të administratës sonë. Si i kanë vendosur aty ata nëpuëns, nëse nuk e dinë historinë e Ndërmarrjes së Rilindjes dhe të Kosovës?!”, shkroi ai në Facebook.

Ai madje i ndau me publikun dy episode të historisë së tij që lidhet me Rilindjen.

“Po ua tregoj vetëm dy episode të historisë sime që ka të bëjë me Rilindjen. Këto dy episode janë të mjaftueshme për mua që ta ruajë krenarinë time e të mos bërë asnjë ankesë. Ja: më 8 gusht 1990 u ndalua gazeta “Rilindja.” Pra, të nesërmen nuk do të kishte informim në gjuhën shqipe.

Revista “Fjala”, ku isha kryeredaktor, ishte në shtyp, natyrisht si revistë dyjavore për kulturë, art e letërsi. Pa e humbur aspak koncentrimin në atë gjendje shoku kolektiv, me disa kolegë të gazetës “Rilindja” vendosëm që ta kthejmë revistën ‘Fjala” në gazetë ditore. Iu përveshëm punës, u sajuan disa faqe të gazetës, i radhitëm dhe i futa në revistë, e cila të nesërmen doli si gazetë ditore”, vijoi Krasniqi në Facebookun e tij.

“Në atë mënyrë e sfiduam haptas dhe me sukses okupatorin serb. Me atë model futëm pastaj edhe revistat “Kosovarja”, “Shkëndija” dhe “Zëri” deri në vitin 1993, kur pas grevës së gazetarëve, të udhëhequr nga legjenda e atdhetarizmit shqiptar, Adem Demaçi, me ndërmjetësinë e OSBE, u arritë të legalizohej disi gazeta ditore “Bujku” si zëvendësim për gazetën “Rilindja.” Në atë grevë të udhëhequr nga Demaçi, kam marrë pjesë me disa kolegë të respektuar. Dhe pasatj gjërat kanë ecur në ritmin e tyre të fuqizimit të rezistencës kundër okupimit, ku kam qenë gjithnjë prezent”, theksoi ai.

Sipas tij, e pakta këto dy episode të punës sime në “Rilindje” do të “duhej t’i dinin ata tipat, por siç shihet ata nuk dinë asgjë për kontributet e qindra gazetarëve e inteletualëve në ish Ndërmarrjen gjigande “Rilindja” e cila e mbijetoi okupimin serb, po u shkatërrua në liri”.

Personalisht, mbaj qëndrimin se nëse nuk na është dhënë respekti për kontributin, nuk ia vlejnë as ato pak para. Respekti nuk na është dhënë”, përfundoi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat