Raporti i Progresit, deklarohet Fitore Pacolli: Kuvendi i Kosovës s’pati kurrë rezultate më të mira

Aktuale

Raporti i Progresit, deklarohet Fitore Pacolli: Kuvendi i Kosovës s’pati kurrë rezultate më të mira

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 11:16
Fitore Pacolli dhe Armend Muja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka folur për Raportin e Progresit nga Komisioni Evropian teksa ka konsideruar se Kuvendi i Kosovës kurrë nuk ka pasur rezultate më të mira.

“Nga viti 2008 Komisioni Evropian çdo vit ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës, nga 14 raporte ky është raporti më i mirë në raport me ato të viteve të kaluara dhe më i miri në raport me vendet e rajonit”.

“Kuvendi gjatë periudhës raportuese ka thyer rekordin me numrin e ligjeve të miratuara, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe nismave legjislative. Matja e suksesit të punës së kuvendit bëhet përmes rezultateve që jepen në fund, me numrin e ligjeve të miratuara”.

“Nga qershori i vitit 2021 deri në qershor të vitit 2022, Kuvendi ka miratuar 123 ligje në mesin e tyre 31 marrëveshje ndërkombëtare ndërsa në vitet e kaluara më së shumti kanë qenë të miratuara 53 ligje” tha Pacolli.

Pacolli, në një konferencë për media, deklaroi se ky është edhe raporti i parë ku nuk evidentohen ndërhyrje e ndikim politik në shumë institucione të vendit.

“Ky është edhe raport i parë ky nuk evidentohen ndërhyrje politike dhe ndikim politik në sistemin e drejtësisë, administratës publike, transmetuesin publik dhe në agjencione e pavarura. Ky është raporti i parë ku evidentohet shumë më shumë progres. Sa i përket punës së Kuvendit edhe këtë vit është evidentuar se Kuvendi është ndikuar nga një atmosferë e polarizuar politike dhe me vështirësi për të siguruar kuorume”, tha Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat