“Serbia nuk mund t’i vendosë sanksione Rusisë”, Rama i del sërish në krah Vuçiçit: Perëndimi të mos i bëjë presion!

Aktuale

“Serbia nuk mund t’i vendosë sanksione Rusisë”, Rama i del sërish në krah Vuçiçit: Perëndimi të mos i bëjë presion!

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 23:18
Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama

Kryeministri Edi Rama vijon t’i dalë në krah aleatit të tij serb, Aleksandër Vuçiç.

Shefi i qeverisë ka folur në një radio britanike për raportet me Vuçiç, duke thënë se Perëndimi nuk duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë për sanksione ndaj Moskës.

Sipas Ramës, të tilla presione do nxisin Rusinë që të trazojë Ballkanin.

“Tani, brenda këtyre kufijve, brenda BE-së, Rusia ka ndikimin e saj më të dukshëm, nga Republika Sërpska në Bosnjë te vetë Serbia, në Mal të Zi, 80% e serbëve mendojnë që Putini është një hero, që po i tregon dhëmbët Perëndimit. Isha gjithashtu i shqetësuar, sepse natyrisht Putini përpiqet të ushtrojë dhe përdorë ndikimin e tij për të trazuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të ndodhte, në një farë mënyre lehtësisht, nëse Perëndimi ushtron presion dhe e shtyn Serbinë përtej një kufiri të caktuar, që të vendosë sanksione kundër Rusisë. Serbia nuk mund t’i vendosë sanksione Rusisë, pasi në thelb kjo është e pamundur, sepse ata s’mund të jetojnë as edhe një ditë të vetme pa gazin rus. Së dyti, për shkak të opinionit publik. Kështu, të kërkosh së tepërmi dhe shumë shpejt nga Serbia mund të kishte rezultuar katastrofike për Ballkanin Perëndimor. Pasi kjo do të shkatërronte një proces që ne e kemi ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor, një proces afrimi dhe bashkëpunimi, ndërtimit të paqes, si dhe iniciativën Ballkani i Hapur. Serbia, nga ana tjetër, ka përshkuar një rrugë të gjatë, sepse ishte një e papritur e madhe që ata votuan tre herë kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, përfshi edhe për përjashtimin e Rusisë nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut. Kështu që, për sa kohë çështja e sanksioneve nuk do të jetë aq trysnuese për të shkatërruar këto gjëra, unë nuk jam edhe aq i shqetësuar”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat