Anëtarja e trupit gjykues në udhëtim zyrtar, dështon gjykimin për korrupsion, krim të organizuar dhe kontrabandim me mallra

Aktuale

Anëtarja e trupit gjykues në udhëtim zyrtar, dështon gjykimin për korrupsion, krim të organizuar dhe kontrabandim me mallra

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 10:59
Foto nga vendngjarja

Në mungesë të anëtares së trupit gjykues Suzana Çerkini, ka dështuar të premten gjykimi ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi si dhe 12 të akuzuarve tjerë, të cilët ngarkohen se duke bashkëvepruar si grup kriminal kishin kontrabanduar mallra nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas.

Lidhur me mungesën e gjykatëses Çerkini, gjykatësja Violeta Namani tha se e njëjta është në një udhëtim zyrtar jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Po ashtu në këtë seancë nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i të akuzuarit Hasip Kiki, avokati Berat Tmava, për të cilin gjykatësja Namani tha se i njëjti ka njoftuar gjykatën se ka seancë për dëgjim në prokurori.

Ndërkaq, lidhur me mungesën e të akuzuarit Naser Ljamalari, mbrojtësi i tij, avokati Faton Hyseni tha se i njëjti është duke ardhur.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e gjykimit, seanca e radhës është caktuar për 6 tetor 2022.

Ndaj të akuzuarit Kadri Kamberi veçse është veçuar procedura më parë, kurse ndaj të akuzuarve Rrahman Ljamalari dhe Jonuz Ljamalari është parashkruar vepra penale për të cilën akuzoheshin.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 15 maj 2014, kishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi dhe ndaj 15 të akuzuarve tjerë për veprat penale krim i organizuar, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, shmangie nga tatimi dhe veprën penale kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fillim të vitit 2011, kishin themeluar, organizuar, mbikëqyrur dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal, duke e ditur se pjesëmarrja e tillë do të kontribuojë në realizmin e veprimtarive kriminale të grupit, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi, kishin menaxhuar mallin me transport në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, pastaj e kishin organizuar shitblerjen e mallit, duke e marrë me qira, të cilin e kishin dërguar në kompanitë në Ferizaj dhe Prishtinë.

Ndërkaq, të akuzuarit Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazi në cilësinë e zyrtarëve policorë, thuhet se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare duke iu mundësuar të akuzuarve që të veprojnë lirshëm, nga të cilët kishin marrë edhe ryshfet për këto shërbime.Sipas aktakuzës, i akuzuari Kiki si polic hetues në Policinë Kufitare- Zona e Lindjes në Kaçanik, kishte mbajtur komunikime të rregullta me të akuzuarin Bujar Loku, dhe më 1 nëntor 2012, gjatë bisedës telefonike më të, në vend që të akuzuarit Imer Azemi dhe Qerim Kurtishi të merren në pyetje në cilësinë e personave të dyshuar për shkak të kontrabandimit të mallit, ai i kishte mashtruar udhëheqësin dhe kolegun e tij, kinse prokurori kujdestar në Ferizaj, kishte urdhëruar që ata të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve dhe pastaj të lirohen.

Ndërkaq, sipas prokurorisë, policët Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi, iu kishin mundësuar të akuzuarve Kadri dhe Qerim Kurtishit si dhe Imer Azemit që të kontrabandojnë mallra nga Maqedonia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, thuhet se të akuzuarit Imer Azemi, Kadri dhe Qerim Kurtishi prej vitit 2011 e deri në dhjetor 2013, kishin tejkaluar vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe anasjelltas, duke bartur mallra si: veshmbathje dhe duhan, duke shmangur kontrollin doganor, dhe të njëjtat i kishin shitur në firma të ndryshme në Ferizaj, Kaçanik, Han të Elezit dhe Prishtinë.

Prokuroria, zyrtarët policorë Hasip Kiki, Bekim Sylejmani dhe Samet Ballazhi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje të ryshfetit.

Të akuzuarit Imer Azemi dhe Kadri Kurtishi i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, kontrabandës me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Të akuzuarit Bujar Loku, Ramadan Topojani, Tahir Curri, Kadri Kamberi, Nazmi Kalisi dhe Xhemajl Ramushi me krim te organizuar, kontrabandë me mallra, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa Bujar Loku edhe për veprën penale dhënie e ryshfetit.

Të akuzuarit Nexhat Gashi, Gani Shabani dhe Agron Krasniqi ngarkohen me veprat penale kontrabandë me mallra dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa së bashku me të akuzuarit Rrahman Ljamalari, Januz Ljamalari, Naser Ljamalari dhe Izair Aliu, për shmangie nga tatimi.

Ndërsa, të akuzuarit Kadri Kurtishi dhe Tahir Curri akuzohen edhe me veprën penale “kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Bashkë të akuzuar në këtë rast kishin qenë edhe Isuf Ljamalari, Bahtir dhe Bejtush Gashi, mirëpo ndaj tyre ishte veçuar procedura. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat