Diplomati shqiptar: Dëgjoni politikanin, që e njeh më mirë se askush Serbinë dhe Ballkanin

Aktuale

Diplomati shqiptar: Dëgjoni politikanin, që e njeh më mirë se askush Serbinë dhe Ballkanin

Nga: P.R Më: 28 korrik 2022 Në ora: 21:50
Milo Gjukanoviq

Deklarata e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, se “Ballkani i Hapur” i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit është iniciativë e dyshimtë, e cila do të çojë në fund në zhdukjen e shteteve si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia e Veriut, si dhe do të përfundojë me gjenocide tjera në Ballkan, ka nxitur shumë reagime në opinionin publik.

Së fundi, përmes një postimi në facebook, diplomati dhe studiuesi i njohur shqiptar, Shaban Murati ka drejtuar një mesazh të qartë.

“Dëgjoni politikanin, që e njeh më mirë se askush Serbinë dhe Ballkanin”, ka shkruar Murati, teksa ka shpërndarë deklaratën e plotë të Milo Gjukanoviqit.

Postimi i plotë:

Dëgjoni politikanin, që e njeh më mirë se askush Serbinë dhe Ballkanin

Deklarata të presidentit malazez Milo Gjukanoviç në 27 korrik 2022:

-“Një vizitë (e kryeministrit Abazoviç në Serbi) nuk mund të rregullojë marrëdhëniet e helmatisura për afro 200 vjet midis dy vendeve. Fakti që qeveria e Abazoviçit, duke ndryshuar prioritetet europiane, vuri në plan të parë marrëdhëniet e shtetit me Kishën Ortodokse Serbe, nuk është në interes të Malit të Zi.

-Kisha Ortodokse Serbe është instrumenti më i egër i nacionalizmit të Serbisë së Madhe dhe i imperializmit rus në Ballkan.

-“Ballkani i hapur” është nje skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit jashtë BE, gjë për të cilën ne nuk kemi nevojë. Ne duam anëtarësimin në BE. Ata, që nuk e shohin rajonin tonë në Europë, gjithashtu nuk e shohin një demokraci multietnike në Ballkan. Ata pëlqejnë idenë e ndryshimit të kufijve dhe homogjenizimin etnik dhe fetar brenda shteteve të zmadhuara. Si zakonisht, çdo gjë fillon tradicionalisht nga ana e Serbisë, tani me “botën serbe”.

-“Ballkani i hapur” do të përfundojë me zhdukjen e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por është e sigurtë që do të përfundojë me luftë dhe me shumë gjenocide”.

(Intervistë e presidentit të Malit të Zi me portalin serb “autonomija.info” në 27 korrik 2022. Marrë nga portali malazez në gjuhën angleze “cdm.me” 27 korrik 2022).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat