Cila është pasuria e Xhavit Halitit dhe nga vjen sipas relacioneve të KFOR-it amerikan me NATO-n?! / Nafta, droga, prostitucioni, haraçi...

Aktuale

Cila është pasuria e Xhavit Halitit dhe nga vjen sipas relacioneve të KFOR-it amerikan me NATO-n?! / Nafta, droga, prostitucioni, haraçi...

Nga: Idriz Morina Më: 10 korrik 2022 Në ora: 17:08
Xhavit Haliti

Para dy ditësh e botuam një shkrim lidhur me deklarimin e pasurisë së Xhavit Halitit në Agjencinë Antikorrupsion, të cilat nëse krahasohen në detaje, ka deklarime që nuk përputhen, dhe si të tilla mund të shërbejnë për hetime të mëtejshme, sikur Antikorrupsioni t’i qasej me seriozitet dhe në mënyrë analitike atyre të dhënave, por gjithsesi këtë mund ta bëjë ex oficio, prokuroria e Kosovës, nëse ajo do të ishte jashtë kontrollit të njerëzve si ai.

Pasuria e Xhavit Halitit sipas KFOR-it

Xhavit Haliti ka deklaruar një pasuri prej rreth një milion euro, shumë që e përsërit thuajse çdo vit, nga viti 2010 kur ka filluar deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë të shtetit. Në fakt duke e deklaruar pasurin zyrtarisht në një institucion shtetëror, mafia politike dhe ekonomike, ua ka marrë të drejtën njerëzve që të flasin lirshëm për pasurinë që kanë zyrtarët e lartë të shtetit.

Por, sa në të vërtetë është pasuria e tij, dhe pse ai ka guxim ta fshehë, dhe pse institucionet si Antikorrupsioni nuk guxojnë ta hetojnë pasurinë e tij, dhe as policia e prokuroria.

Gazeta ua sjellë lexuesve të përkthyer një pjesë të dosjes sekrete të KFOR-it amerikan relacione me NATO-n, dhe që në gjuhën angleze gjendet në google. Dosjet e tilla shpjegojnë jo pak edhe skemën aktuale të krimit dhe të gjendjes së status kuos dhe dështimit të qëllimshëm të qeverisjes në Kosovë.

Sipas relacioneve sekrete të KFOR-it amerikan me NATO-n, dokumente këto të komentuara pjesërisht edhe vite më parë, dëshmojnë për një portret krejt tjetër nga ai që njerëzit e shohin dhe e paraqesin në televizione dhe media të caktuara, Xhavit Halitin.

Në fakt, siç e evidentojnë edhe vetë relacionet e KFOR-it, Xhavit Haliti njihet për eminencën e tij gri në politikë, por gjithashtu shpesh, siç është raportuar, edhe si një njeri që kontrollonte PDK-në, kishte ndikim të madh në SHIK, dhe vlerësohej si një njeri i rrezikshëm. Pas më shumë se një dekade, që kur dolën dokumentet sekrete të NATO-s, të paklasifikuara, si duket janë me shumë interes që të rilexohen dhe rishfaqen, edhe për shkak të shumë ngjarjeve të mëdha që kanë ndodhur, dhe për t’i paraprirë zhvillimeve të ardhshme pozitive.

Për shembull para arrestimit nga gjykata speciale të Hashim Thaçit, sa ishte në detyrën e presidentit, dhe të ish-kryetarit të Kuvendit e kreut të SHIK-ut, Kadri Veselit e të tjerëve askush nuk mund ta paramendonte (besonte) se do të vinte një ditë, ku edhe për gabime jo shumë të rënda, pa vrasje, të arrestohen ‘komandantët’ si Nuredin Lushtaku (Natyrisht ne sidomos që kemi shkruar në vazhdimësi kemi besuar se kjo ditë do të vjen, sikurse edhe për arrestimin e ‘peshqve’ të mëdhenj, që ndodhen në liri).

Kështu thuajse në të gjitha vitet, sipas raportimeve të KFOR-it për Xhavit Halitin, ai biznesin e tij kryesisht e ushtronte nga hoteli “Grand” në Prishtinë, gjë që e dinë thuajse të gjithë të informuarit mirë, edhe pa këtë relacion.

“Për të bërë biznes aktivitetet e tij Haliti është duke e përdorur “Hotel Grandin” në Prishtinë, si një bazë”, thuhet në raport.

Thuajse në çdo raportim Xhavit Haliti rezulton se është një nga figurat çelës (kryesore) të krimit të organizuar në Kosovës, qoftë edhe kur flitet për organizmin e luftës në Kosovën Lindore.

Ai ishte këshilltar i liderit të PDK-së, anëtar i kryesisë së PDK-së dhe “njihet si koordinator shantazhues”.

Atëherë raportohej se kishte një banesë afër ndërtesës së SHIK-ut, afër hotelit “Grand”. Ai gjithashtu raportohej se kishte në pronësi disa shtëpi në Kosovë, në Vitomiricë, Pejë, në zonën e Mitrovicës, dhe gjithashtu në Shqipëri dhe në Zvicër.

Ai vazhdimisht shihej në kafe Dubrovnik, Dardani- Prishtinë, hotel “Theranda” në Prizren, ku takonte lidhjet e tij me një grup, që po ashtu takoheshin në restorant “Thana” që ndodhet ndërmjet Pejës dhe Prishtinës, i përfolur për organizimin e shumë krimeve, përfshirë edhe të vrasjeve politike.

Kishte një Rangrover 4, i vitit 1997, dhe një Land Rover të zi; Po ashtu një armë WAC dhe një revole 9mm prodhim çek.

“Ai është pronar i shumë dyqaneve (depo) dhe restoranteve në Pejë”.

Kush është Xhavit Haliti

Sipas të dhënave nga ky relacion sekret i KFOR-it amerikan dhe NATO-s, Xhaviti është i lindur në Novo Sellë në mars të vitit 1956.

“1.5 Funksione (Zyrtare/të dyshuara)

Anëtar i kryesisë së Kuvendit (Aktualisht nuk është).

Anëtar i bordit të Asamblesë së naftëtarëve.

Ai është udhëheqës i grupit më të madh kriminal në Kosovë.

Ai është pronar i shumë dyqaneve (depo) dhe restoranteve në Pejë.

Ai është raportuar se ka qenë anëtar i SHIK-ut apo të KSHIK-ut (SHIK-ut Kosovës).

Ai di shqip, serbisht dhe nga pak gjermanisht.

Ai ka qenë shef i financave dhe udhëheqës i drejtorisë së logjistikës të stafit gjeneral (Shtabit të Përgjithshëm) të UÇK-së.

Ai kishte lidhje me dhunën e rritur ndaj anëtarëve të LDK-së nga ana e (nëpërmjet) SHIK-ut.

Ai besohej se ishte fuqia prapa Thaçit dhe që e kontrollonte politikën e PDK-së nëpërmjet financave.

Po ashtu sipas atyre informacioneve Xhavit Haliti e ka një pasaportë të Shqipërisë me emrin Xhavit Hajdaraj, me të cilin udhëton jashtë Shqipërisë.

Fuqia e SHIK-ut (viti 2002/2003) llogaritej të ishte me rreth 3 mijë operativë. Nga këta 300-500 kanë qenë në TMK.

Po ashtu Haliti ka lidhje të fuqishme me grupin Devolli.

Sfondi kriminal

Sipas raportimeve të KFOR-it, ai ishte i përfshirë thellë në prostitucion, kontrabandë të armëve, drogës dhe po ashtu të naftës. Ai ka raporte të mira me familjen Elshani.

Po ashtu ai dyshohet se është i lidhur edhe me dy vdekje të tjera, të Ilir Konushecit me 1998 dhe të Ali Ukës me 1997.

Në një raport të KFOR-it, në shtator të vitit 2001 thuhej, “Haliti është i involvuar në aktivitete kriminale, të tilla si prostitucioni, armët dhe kontrabandimi i drogës".

Ndërsa, në një raport të mëhershëm në korrik të vitit 2001, Xhavit Haliti është raportuar se është përfshirë në nivel të lart në SHIK dhe në krim të organizuar.

Xhavit Haliti vlerësohej se ka përkrahje nga nivele të larta në Shqipëri, si nga kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. “Haliti gjithashtu ka bërë marrëveshje me drejtuesit e SHIK-ut të Shqipërisë (SHISH), e cila ka vënë në dispozicion trajnimin dhe personelin”.

Xhavit Haliti e kishte dërguar të bëhej truproje e Ahmet Krasniqit, Naim Mujën, pak javë para vrasjes së tij.

Një informacion i JOOIIS i muajit gusht 2000 regjistronte se një tjetër anëtar i bandave i afërt me Xhavit Halitin, Haskaj ishte lider i një grupi shumë të rrezikshëm.

“Kjo bandë bënte “punë të pista” për komunitetin kriminal. Një raport (F6) në përmbledhjen e J2X të të dhënave të datës 26 mars 00, Xhavit Haliti, Shërbimi Sekret Shqiptar (SHIK) dhe Partia për Përparim Demokratik të Kosovës (para se ta ndryshonte emrin në PDK) kanë filluar një zhvatje në mbarë Kosovën që ka nxjerrë 400,000 dollarë vetëm nga Ferizaji”. / (Em 1290, në anglisht: This gang conducted “dirty work” for the criminal community. A rerport (F6) in the J2X summary of 26 Mar 00 records Xhavit Haliti, the Albanian Secret Service (SHIK) and the Party for the Demokracitc Progress of Kosovo (PDK) have begun an extortion racket ascross Kosovo that has extracted $400,000 from Ferizaj (Em 1290) alone.)

Në një raport të 12 tetorit të vitit 2000 (Secret/Relation), thuhet: “Haliti ka qenë anëtar i SHIK-ut që para luftës në Kosovë dhe aktualisht (viti 2000) është në nivelet më të larta të kësaj organizate inteligjente. Para luftës ai ka shërbyer si truproje i shefit të SHIK-ut (të Shqipërisë) Fatos Klosit (J2X Humint Summary)”.

“Listën e zezë”

Ndërsa, sipas një raporti të marsit të vitit 2000, Xhavit Haliti, Nexhmije Hoxha (e veja e diktatorit Hoxha), dhe Hysni Milloshi kanë qenë identifikuar si mbështetës të Partisë së Punës së Shqipërisë.

(S//Rel. Për SHBA dhe NATO) Xhaviti ka qenë i lidhur me dy vdekje: “Ilir Konushevci, pretendent për lidership me Halitin për Zonën Lafi në vitin 1998. Dokumentet e sjellura nga Iliri bën që Haliti të dëbohej nga UÇK-ja, por Iliri u gjet i vdekur, më pak se një muaj më vonë, pranë kufirit të Kosovës”.

“Xhavit Haliti dhe Kadri “Sali” Veseli, shef i KshiK përgatitën “Listën e zezë” të politikanëve të moderuar, të cilët u keqtrajtuan nga KshiK dhe mbështetësit e PDK-së”, thuhet në dokumentin publik.

Fadil SNU është parë shpesh në zyrat e SHIK-ut dhe përshkruhet fizikisht: mosha rreth 35 vjeçare; trup atleti, gjatësia 168-170 cm, me flokë të zinj, të kthyer mbrapa. Ai përshkruhet si banor i Prishtinës.

Nga Relacioni sekret i KFOR-it amerikan dhe NATO-s, Xhaviti dyshohet dhe pohohet se ushtron kontroll ndaj shumicës së bandave kriminale në zonën e Pejës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat