Historia e tradhtisë dhe 45 mijë euro për “nderin”: Pleqtë e Malishevës gjykojnë me Kanun/ Dyshohet për marrëdhënie me bashkëshorten e dajës

Aktuale

Historia e tradhtisë dhe 45 mijë euro për “nderin”: Pleqtë e Malishevës gjykojnë me Kanun/ Dyshohet për marrëdhënie me bashkëshorten e dajës

Më: 9 maj 2022 Në ora: 12:37
Ilustrim

Një rast skandaloz ka ndodhur në fshatin Carallukë të Malishevës. Një burrë është detyruar nga pleqtë e lagjes të paguajë 45 mijë euro në emër të nderit, për shkak të dyshimeve për marrëdhënie me bashkëshorten e dajës së tij.

Krejt kjo ngjarje ka ndodhur pas raportimit të një rasti të dhunës në familje, nga një grua nga fshati Carallukë i Malishevës, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike.

Në dëshminë e dhënë nga viktima gjatë intervistimit para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar motivin e dhunës që ka pësuar nga burri i saj.

Sipas saj, ngjarja ka ndodhur pas dyshimeve që ishte ngritur në familje se ajo po e tradhton bashkëshortin me një familjar të tij.

Akuza për tradhti siç duket alarmoi gjithë familjen, për çka u paguan mijëra euro nga personi me të cilin akuzohej viktima se kishte pasur një lidhje.

Personi me të cilin akuzohej se gruaja e tradhtoi bashkëshortin e saj ishte nipi i familjes së këtij të fundit, shkruan Sinjali.

Për t’i rregulluar raportet familjare, në emër të nderit, nipi u detyrua të paguajë. Pleqtë e lagjes ia shqiptuan atij një dënim, duke e detyruar të paguajë 45 mijë euro, si dëmshpërblim për kthim të nderit të familjes.

Pretendimet e viktimës u vërtetuan nga vjehrri i saj. Policia u vu në lëvizje dhe intervistoi të njëjtin për të kuptuar rrethanat e ngjarjes dhe doli se deklarata e gruas që denoncoi rastin ishte e vërtetë.

Vjehrri i saj e ka pranuar se pleqtë e lagjes e kanë dënuar nipin e familjes me 45 mijë euro, duke u pajtuar që kjo shumë e parave të paguhet dy herë radhazi: pjesa e parë prej 25 mijë eurosh në ditën e gjykimit me Kanun, kurse 20 mijë euro të tjera të paguhen më 10 gusht.

Për këtë rast sot ka njoftuar edhe Policia përmes raportit 24 orësh.

“Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se ishte detyruar nga i dyshuari mashkull kosovar që të paguajë një shumë parash lidhur me një mosmarrëveshje. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat