​Mbrojtja kërkon të vendoset afat për përfundimin e hetimeve të prokurorisë

Aktuale

​Mbrojtja kërkon të vendoset afat për përfundimin e hetimeve të prokurorisë

Më: 24 mars 2022 Në ora: 18:57
Seanca

Avokatët mbrojtjes të Thaçit dhe të tjerëve kanë kërkuar që 6 maji të jetë data e përfundimit të hetimeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas tyre, prova të reja do të duhej të përfshiheshin vetëm nëse e kalojnë testin e provave, që nënkupton miratimin gjyqësor.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit, avokatët e të akuzuarve kanë deklaruar që duhet të ketë një afat kohor për hetimet dhe çështjen e prokurorisë.

Emmerson: Duhet të përcaktohet një afat për dosjen e prokurorisë

“Duhet të përcaktojmë një afat, të themi kjo është pika fundore, dhe për ne në fakt të bëjmë këtë diskutim në mars të vitit 2022 rreth faktit se kur prokuroria duhet që të jep dosjen e vet ose kur të përfundojë hetimet e veta, në vetvete kjo është shumë problematike. Mendoj që problemi kryesor është që vendimi i zotit Smith që kishte parashtruar disa dokumente juve i nderuar gjykatës dhe që u vendos që të merreshin zoti Thaçi e Veseli ndërkohë që hetimet ishin në fazat e hershme, dhe me thënë të drejtën çdo prokuror i ndershëm dhe çdo prokuror profesionist që unë kam hasur në arenën ndërkombëtare do ta kishte bërë këtë punë përpara se të ndalonte të akuzuarit, pra ne në fakt çështjen e prokurorisë do të duhet a kishim marrë të plotë, do të duhej të kishte dorëzuar të plotë disa javë pas arrestimit të të akuzuarve”, ka thënë avokati i Veselit, Ben Emmerson.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se prokuroria po i reziston afatit të 6 majit dhe sipas tij e njëjta nuk është angazhuar për ndonjë afat.

Kehoe: Prokuroria nuk është e gatshëm të transferojë çështjen para trupit gjykues

“Nuk duket se janë të gatshme të transferojnë çështjen përpara trupit gjykues. Për sa i takon angazhimit të tyre, ata nuk janë angazhuar për asgjë, pra duhet të ketë një fund, duhet t’i vijë fundi këtij hetimi, siç tha zoti Emmerson ka fakte të reja që mund të kalojnë testin e provave të reja. Ata kanë një çështje që evoluon vazhdimisht, nëse nuk do të evoluojë vazhdimisht kjo çështje nuk do të kishte nevojë për hetime shtesë. Edhe njëherë parashtrojmë para jush i nderuar gjykatës që të përcaktoni një afat, dhe për një 6 maji është dukshëm i arsyeshëm”, ka thënë Kehoe.

Me këto parashtrime është pajtuar edhe mbrojtja e Rexhep Selimit.

Young: Pse prokuroria i trembet afatit nëse ajo ka përfunduar pjesën më të madhe të hetimeve

“Nëse prokuroria tani po na thotë se janë të bindur se pjesa më e madhe e hetimeve kanë përfunduar unë pyes përse i tremben ata një afati. E mbështes parashtrimin e zotit Emmerson duhet të ketë një datë përfundimtare për arsye të menaxhimit të mirë të çështjes, në këtë rast do të ishte 6 maji”, ka thënë ai.

Ndërsa avokati i Krasniqit, Aidan Elys ka thënë se nuk duhet të ketë zgjatje të hetimeve.

Elys: Nuk ka arsye të mos vendoset një afat për prokurorinë

“Nuk shohim asnjë arsye pse të mos ketë një afat dhe pse duhet të vazhdojnë të zgjaten hetimet, këtu duhet të heqim një vijë dhe të vendosim”, ka thënë ai.

ZPS-ja ka deklaruar që pjesa dërmuese e hetimeve ka përfunduar andaj sipas tyre nuk ka nevojë për vendosje të afateve.

Ndërsa në parashtrimet e mbrojtjes është thënë se gjykatësi duhet të përcaktojë 6 majin 2022 si datë për përfundimin e hetimeve nga ZPS-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat