Ish diplomati: Pavarësia është produkt i dy konsensuseve të mëdha

Aktuale

Ish diplomati: Pavarësia është produkt i dy konsensuseve të mëdha

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 21:39
Ylber Hysa

Ish diplomati me përvojë të gjatë e i përfshirë në procese me peshë për Kosovën në kohën e pavarësisë  dhe pas saj në shërbim si ambasador në Maqedoni të Veriut dhe në Mal të Zi, Ylber Hysa e vlerësoi sot shpalljen e pavarësisë më 2008’n si një përpjekje e gjatë gjeneratash kosovare, të luftës çlirimtare të 1999’s dhe konsensusit politik të brendshëm kosovar, duke përjashtuar një krah politik asokohe.

Historiani Ylber Hysa i intervistuar gjatë ditës së festës në Prishtinë me rastin e shënimit të 14 vjetorit të pavarësisë nga televizioni kombëtar i Maqedonisë së Veriut, Alsat–M, u pyet rreth ngjarjes së madhe për kosovarët. E theksoi konsensusin dhe përpjekjen e madhe diplomatike ndërkombëtare të SHBA’së dhe BE’së pa zhvlerësuar atë kosovar, por theksoi mungesën pjesëmarrjes së njërit krah politik që sot qeverisë.

“Nëse mund ta analizojmë, mund të themi lirisht se është produkt i dy konsensuseve të mëdha. Një konsensus ndërkombëtar, kryesisht trans-atlantik, në të dy anët mes Uashingtonit dhe Brukselit, dhe të një konsensusi të brendshëm politik gjithë-kosovar, përveç një elementi në atë kohë margjinal politik i cili sot është në krye të qeverisë” tha Hysa.

I pyetur sot se a kishte mundësi të punohej më ndryshe në Kosovë, Hysa u përgjigj se “kur thyhet qerrja gjithmonë gjinden rrugë”.

Ai shtoi se ka gjithmonë mundësi për më mirë, por “si një njeri që nuk i mohon të arriturat” e me në një proces rindërtimi të vështirë të Kosovës posaçërisht pas luftës së 1999’s ai theksoi “se kemi mundur më mirë por edhe si jemi tani nuk është fare për t’u mohuar apo të mos ndjehemi krenar”.

Hysa u pyet edhe rreth vlerësim të mjaftueshëm ose jo të atyre që edhe janë flijuar për pavarësinë e Kosovës. Ish diplomati tha se lufta çlirimtare është tanimë në kujtesën kolektive shqiptare.

“Po ma merr mendja se kjo është një lloj mbamendje kolektive dhe vet mishërimi i shtetësisë së Kosovës i ndërtuar mbi themelet e kësaj lufte çlirimtare. Ndoshta edhe nuk janë të paqëllimta përpjekjet për ta mohuar atë, pasi duke e mohuar atë realisht mohon vet shtetësinë e Kosovës” tha Hysa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat