​Nagavci: Task-forcat komunale vendosin për skenarët e procesit mësimor

Aktuale

​Nagavci: Task-forcat komunale vendosin për skenarët e procesit mësimor

Më: 9 janar 2022 Në ora: 16:50
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se procesi mësimor, i cili fillon nesër, do të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë, por nëse ka rritje të rasteve me COVID-19 nëpër shkolla, atëherë janë task-forcat komunale ato që vendosin për mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor.

Nagavci në një postim në Facebook, ka shkruar se mësimi duhet të zhvillohet me prezencë fizike, por nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me COVID-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve.

Postimi i plotë:

Të dashur mësimdhënës, nxënës dhe të gjithë të punësuar në shkolla.

Shpresoj të keni kaluar festa e pushime të gëzuara, e të riktheheni në shkolla për të filluar gjysmëvjetorin e dytë me energji të reja, kureshtje e pasion për të mësuar më shumë.

Në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë, institucionet shkollore duhet të mbesin të hapura e mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe kjo kërkon punë e përgjegjësi nga të gjithë ne.

Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task Forcat në nivel komune.

Video-mësimet do të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MASHTI.

Ju ftoj për kujdes të shtuar e respektim të masave mbrojtëse në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik e të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Nga zemra ju dëshiroj shumë suksese të gjithëve!

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër, më 10 janar 2022, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Në një postim të kësaj ministrie në Facebook thuhet se Task Forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat