​Pandemia i largoi nga shkolla, mungesa e teknologjisë ua vështirësoi mësimin edhe nxënësve romë

Aktuale

​Pandemia i largoi nga shkolla, mungesa e teknologjisë ua vështirësoi mësimin edhe nxënësve romë

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Mungesa e një pajisje teknologjike kishte ndikuar që nxënësja e klasës së pestë A.K. dhe dy motrat e saj të mos kenë mundësi të ndjekin mësimin online. Po për këtë arsye, në mësimin online nuk kanë marrë pjesë as 170 nxënës të tjerë të komunitetit rom në komunën e Prizrenit.

Procesi mësimor për shkak të pandemisë COVID-19 në Kosovë është ndërprerë më 11 mars 2020, ndërkohë që mësimi nga distanca ka nisur më 23 mars të atij viti, ku fillimisht njësitë mësimore janë transmetuar përmes Radio Televizionit të Kosovës, e pastaj ka filluar mbajtja e mësimit online përmes platformave të ndryshme.

A.K. thotë se mësimin online e ka ndjekur vetëm kur babi i saj ka qenë në shtëpi, derisa tregon se të njëjtin telefon është dashur ta përdorin edhe dy motrat e saj. 

K: Nuk kam pasur llaptop me e ndjekë mësimin online

“Nuk kam pasur laptop me e ndjekë mësimin online, ia kam marrë babit telefonin[...]Kur ka shkuar babi në punë nuk kam pasur mundësi me mbajt mësimin online, se nuk kam pasur tablet, as kurrgjë. Kur vinte babi nga puna nganjëherë kisha mundësi me mbajt mësim”, thotë ajo. 

Për mungesën në procesin mësimor online, A thotë se është qortuar edhe nga mësimdhënësit, teksa tregon se as nga shkolla nuk ka marrë një pajisje teknologjike për të ndjekur mësimin. 

K: Mësuesja më ka qortuar, kanë thënë pse nuk po e mbanë mësimin online

“Po më kanë qortuar... kanë thënë pse nuk po e mbanë mësimin online, i kam thënë mësueses se nuk kam pasur tablet”, tregon ajo. 

Në situatë të njëjtë janë gjendur edhe dy nxënës të tjerë të komunitet rom. Prindi B.T. tregon se dy fëmijët e tij nuk kanë qenë të rregullt në mësimin online për shkak të mungesës së një pajisjeje teknologjike. 

Ai tregon se fëmijët kanë përdorur telefonin e vetëm të familjes për të ndjekur mësimin, e që thotë se në të shumtën e rasteve nuk kanë mundur të lidhen me mësuesen e shokët e shoqet e klasës. 

T: Shumë herë janë grindë mes vete se kush e ka rendin për mësimin online

“Përgjatë pandemisë me ato mundësi që i kemi pasur për mësimin online nuk i kemi pas ato me i përcjell bash të gjitha. Me një telefon të keq pak a shumë e kanë mbajt, por rezultati në fund te notat dhe mësimi kanë ra, nuk kanë qenë shembullor, por gjatë pandemisë ka ndikuar shumë si te djali, si te vajza ka ra[...]Shumë herë janë grindë mes vete jo unë tash e kam rendin, jo unë, me një telefon, nuk na kanë ndihmuar”, thotë ai. 

B.T thotë se është i papunë dhe nuk ka pasur mundësi financiare që të blejë ndonjë pajisje teknologjike që fëmijët të ndjekin mësimin. Ai shprehet se as nga shkolla dhe as nga komuna nuk kanë marrë laptop, ani se kishin bërë një kërkesë të tillë.

T: Nuk ka më keq se sa kur nuk mundesh me ia plotësuar kushtet fëmijës 

“Vështirë sa të duash, ndonëse pa punë, e kemi kaluar vet këtë jetë qysh e kemi kaluar deri këtu, tash edhe fëmija yt me u përballë njëjtë me ketë jetë bukur zor. Kur nuk mundesh me ja plotësu kushtet fëmijës normal si prind për mësim, për çdo send, ma keq më nuk ka, kush ka qejf me pa fëmijën e vet keq e mos me i pas kushtet”, shprehet ai. 

Në shkollën fillore të mesme të ulët “Mati Logoreci” në Prizren, ndjekim mësimin 186 nxënësnga komuniteti rom, e që edhe në këtë shkollë një numër i konsiderueshëm i tyre nuk kanë ndjekur mësimin online. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj shkolle, Skender Ferati, deklaron se nxënësit nga ky komunitet si arsye kanë dhënë mungesën e një pajisjeje teknologjike për t’u kyçur në mësim. 

Ferati: Ka pasur ankesa për qasjen në mësimin online nga ky komunitet

“Kemi pasur komunikim me arsimtarët dhe gjithmonë ka pasur ankesa për qasjen në mësimin online nga ky komunitet[...]Më shumë kanë qenë arsyet teknologjike, jo nuk e kemi llaptopin, jo me telefon nuk po funksionon, arsyet e ndryshme, por më shumë aspekti teknologjik. Për qasje në internet nuk ka pasur ndonjë kërkesë se edhe ashtu nuk kemi mundur ne të ndërhyjmë në këto rrethana, por jemi munduar sado pak me donacione apo DKA që ka sjellë disa llaptop të vegjël me iu dhënë disave që ishin në kushte pak më të rënda, por jo kënaqshëm”, thotë ai. 

Përkundër kësaj, ai potencon se asnjë nga këta nuk e ka braktisur mësimin dhe të njëjtit janë rikthyer në shkollë kur mësimi ka nisur me prezencë fizike. 

Sipas Osman Osmanit, drejtor i organizatës joqeveritare “Nevo Koncepti”, që merret me përfshirjen e fëmijëve të komuniteteve në procesin mësimor dhe vepron në komunën e Prizrenit, pandemia COVID-19 e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e komunitetit rom në arsim.

Ai tregon se gjatë kohës kur mësimi është mbajtur online rreth 170 fëmijë të komuniteti rom nuk kanë pasur pajisje teknologjike për të marrë pjesë në e-mësim. 

Osmani: 170 fëmijë të komunitetit rom nuk kanë qenë të kyçur në e-mësimi

“Diku 170 fëmijë të komunitetit rom nuk kanë qenë të kyçur në e-mësimi. Shumicën prej këtyre kemi arritur, duke pasur parasysh që i kemi kontaktet e familjarëve, me i kontaktu se ku është problemi dhe në shumicën e rasteve ka qenë mungesa e internetit, ka qenë mungesa e pajisjeve, një numër serioz i familjeve nuk kanë pasur llaptop, kompjuter apo edhe një tablet që i kish lehtësuar qasjen në këtë lloj të mësimit dhe këta fëmijë mund të them nëse mund t’i emërtojmë kanë qenë jashtë sistemit, si lloj braktisje. Në numrin e përgjithshëm, ky numër 170 është diku 15-20 përqind i fëmijëve të komunitetit rom që vijojnë këtu mësimin në komunën e Prizrenit. Vërtetë ka qenë një numër shqetësues për ne si organizatë”, deklaron ai. 

Sipas tij, pajisjet teknologjike që janë ndarë nga komuna e Prizrenit më së paku kanë shkuar te nxënësit e komunitetit rom, ani pse thotë se të gjithë e kanë pasur të qartë se ndarja e pajisjeve teknologjike për ata, ka qenë e vetmja mënyrë që ata të jenë pjesë e sistemit arsimor.

Institucionet e Kosovës nuk kanë të dhëna rreth përfshirjes së fëmijëve të komuniteti rom në procesin e mësimit online, të dhëna të tilla nuk ofron as Agjencia e Statistikave të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat