Trondit dëshmitarja në Gjykatën Speciale ku po dëshmon në rastin e Salih Mustafës, flet për trupat e varrosur, tregon çfarë ndodhi pastaj me ta

Aktuale

Trondit dëshmitarja në Gjykatën Speciale ku po dëshmon në rastin e Salih Mustafës, flet për trupat e varrosur, tregon çfarë ndodhi pastaj me ta

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 22:44
Sali Mustafa

Dëshmitarja e gjashtë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ka deklaruar se kishte marrë pjesë në zhvarrimin e një personi në Zllashë.

Gjatë seancës të martën, dëshmitarja e mbrojtur – identiteti i së cilës nuk është bërë publik, e ka përshkruar zonën ku ajo pretendon se ka qenë një person i varrosur, por pa e treguar rolin e saj në atë ngjarje.

“Vendi ku kemi shkuar ka qenë një mal jo shumë i shpeshtë, diku në thellësi të fshatit është ndalë traktori dhe aty kemi zbrit, aty kam takuar edhe persona të tjerë dhe babai i viktimës thotë këtu është trupi i tij dhe këtu duhet ta marrim”, ka thënë ajo.

Prokurorja e rastit i ka prezantuar disa fotografi për të cilat dëshmitarja thotë se tregojnë identifikimin e vendit të varrezës si dhe hapjes së varrit.

“Kjo fotografi është bërë në fillim të procesit kur kemi shkuar atje dhe na u ka thënë që këtu supozohet që është vendvarrimi i viktimës… Kjo fotografi e përshkruan vendvarrimin por e marrë nga krahu i djathtë dhe sidomos këto dy degët që kanë qenë përmbi, do të thotë një fotografi e marrë prej anës së djathtë… Është lehtë e identifikuar thellësia e varrit, nuk mund të jetë më shumë se 20 centimetra kjo thellësi, është lehtë e identifikueshme për shkak të ndriçimit që e ka, dielli që i bie direkt dhe ajo thellësia e një varreze që nuk është si çdo varr tjetër kur të hapet në rrethana normale”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo deklaron se viktima ka qenë i mbuluar me një batanije të kaltër, teksa shton se pranë “trupit të zhvarrosur” ka qenë edhe një tjetër trup i varrosur, por që nuk është lejuar që të hapet ai varr.

“Në momentin kur është identifikuar komplet viktima kanë kërkuar që të mos vazhdohet tutje, sepse është edhe një person tjetër i varrosur afër tij… Një diskutim që është zhvilluar në mesin e personave që e bënin zhvarrimin sipas fotos po dua t’ju orientoj në foto, ishte nga ana e djathtë sepse pjesa e mbetur e qebes ka qenë ende përfundi dheu.

Qeben nuk kemi mundur komplet me heq sepse ka qenë nën dhe. Ka qenë insistimi i të tjerëve që të mos groposet më shumë anash sepse ekziston edhe një trup tjetër”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, trupi tjetër ishte në anën e djathtë të varrit të cilin e kishin hapur por që nuk di se çfarë ka ndodhur me të, derisa thekson se fotografitë e prezantuara tregojnë procesin e identifikiit të viktimës.

“Nuk është zhvarrosë atë ditë, por më vonë çka ka ndodhur nuk e di sepse ishte e panjohur, nuk e dinim kush është. Është një vrimë por për të cilën askush nuk mundet ta konstatojë se nga çka është kjo vrimë, por është kështu gjendja e trupit të viktimës… Një vrimë e cila është parë dhe e cila është markuar si e çuditshme në trupin e një kufome, mirëpo për shkak që trupi i kufomës ka qenë në procesin e dekompozimit është bukur vështirë me identifikuar se çka vërtetë kjo vrimë tregon”, ka thënë dëshmitarja e mbrojtur.

Ajo tha se kufoma ishte tërhequr nga Zllashi për t’u varrosur, por që nuk ka bërë të ditur se në cilin vend, duke treguar se dheun e kishin lënë ashtu siç ka qenë dhe se kufoma tjetër ka mbetur aty.

“Për këto dy degë të premë, të vendosura njëra mbi tjetrën e kanë kuptimin e identifikimit dhe në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë nuk e kanë kuptimin e fshehjes apo mbulimit të një varri, sepse ka forma dhe mënyra të tjera qysh fshihen gjurmët dhe mbulohet një varr për të mos u identifikuar, por këto dy degë e kishin kuptimin e identifikimit të kësaj varreze”, deklaroi tutje ajo.

Kurse, pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës, kanë vazhduar me seancë të mbyllur për publikun.

Ndryshe, deri më tash, në këtë gjykim janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të cilët ishin të mbrojtur dhe identiteti i tyre nuk është bërë i ditur.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, kurse u arrestua më 24 shtator të atij viti nën akuzat për “krime lufte”.

Mustafa është i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale dhe se gjykimi ndaj tij ka filluar më 15 shtator 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat