Rritja drastike e rasteve me Covid, alarmon Valbon Krasniqi: Situata është e rënduar

Aktuale

Rritja drastike e rasteve me Covid, alarmon Valbon Krasniqi: Situata është e rënduar

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 15:22
Valbon Krasniqi

Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka njoftuar se ministri Arben Vitia ka ftuar për sot në takim krerët e institucioneve shëndetësore të vendit ku do të diskutohet për ndërmarrjen e masave të reja anti COVID-19.

I kontaktuar nga media, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka thënë se situata me Covid-19 në vendin tonë është shumë e rëndë.

Ai ka alarmuar për numrin e madh dhe duke pas parasysh rritjen drastike të rasteve, ai tha se institucionet duhet t’i kenë parasysh edhe kapacitetet spitalore për pranimindhe trajtimin e të infektuarve me Covid-19.

“Kjo varet nga ato që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik, mirëpo nëse i referohemi numrit në rritje të pacienteve të cilët janë duke kërkuar trajtim spitalor duhet të kihet parasysh edhe indikatorët, kapacitetet që i kemi si institucione shëndetësore për të pranuar numër të pacienteve nëpër spitale. Nga ajo që kemi vërejt sidomos në javën e fundit kemi një rritje jashtëzakonisht të madhe , një rritje shumë më të shpejtë të numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim në raport me valët e kaluara”, tha ai për Front Online.

Infektologu Krasniqi tha se në takimin me ministrin Vitia që pritet të mbahet sot, do të paraqesin situatën  e rëndë dhe rritjen alarmante të numrit të të infektuarve.

“Ne do të paraqesim gjendjen reale shumë të rënduar me numër të pacientëve dhe një rritje drastike dhe alarmante të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor, ndërkohë që vendimet pastaj merren në nivel tjetër, në kuptim të rekomandimeve që bëhen nga IKSHPK-ja, duke parë projeksionet dhe parashikimit e mundshme për numrin e pacientëve që mund të infektohen dhe të atyre që kërkojnë trajtim spitalor”, ka thënë për Front Online, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.

Sot në Kosovë janë regjistruar 1765 raste të reja me COVID-19 në Kosovë dhe 5 raste të vdekjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat