​Kryesuesi i KGjK-së zotohet se do të matet vazhdimisht performanca e gjyqtareve

Aktuale

​Kryesuesi i KGjK-së zotohet se do të matet vazhdimisht performanca e gjyqtareve

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 11:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryesuesi i zgjedhur i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj ka pranuar të hënën detyrën nga kryesuesi i deritashëm, Skënder Çoçaj.

Zogaj falënderoi Çoçajn për kontributin e dhënë për zhvillimin e sistemit gjyqësor gjatë këtij mandati, teksa u zotua se do të avancojë dhe plotësojë edhe më tej misionin e Këshillit.

Me këtë rast, Zogaj tha se së shpejti do të kenë edhe Rregulloren për normën e gjyqtarëve, e cila sipas tij, do të ketë impakt të rëndësishëm në cilësinë e punës së gjyqësorit.

Image

Ai theksoi se prioritet kryesor gjatë këtij mandati do të ketë matjen e performancës së gjyqtarëve, porse edhe rekrutimin e gjyqtarëve të ri.

Zogaj: Do të matet performanca e gjyqtarëve dhe do të rekrutojmë gjyqtarë të ri

“Këshilli Gjyqësor në kohën e fundit ka pasur iniciativa të rëndësishme në adresimin e çështjeve me rëndësi në sistemin gjyqësor[...]Shumë shpejt do të kemi edhe rregulloren për normën e gjyqtarëve që do të ketë impakt të rëndësishëm në cilësinë e punës së gjyqësorit. Unë mendoj që Këshilli Gjyqësor në të ardhmen do të ketë si objektiv monitorimin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në sistemin gjyqësor. Për këtë qëllim ne kemi edhe iniciativa tjera, një prej çështjeve më të rëndësishme përveç pjesës së performancës së gjyqtarëve, mbetet edhe rekrutimi i gjyqtarëve, për çka ne e kemi dorëzuar rregulloren për të shikuar kriteret e vlerësimit. Ne mendojmë që ky proces duhet të jetë me kritere shumë më të forta që në të ardhmen të kemi në radhë të parë gjyqtarë me integritet, që do të jetë pjesë e rëndësishme e rikthimit të besimit në gjyqësor”, tha ai.

Image

Ai foli edhe për procesin e vetingut, për çka tha se janë të hapur për mekanizmat e brendshëm që kanë të bëjnë me vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve, porse kundërshtojnë çdo mekanizëm që ndërtohet ekskluzivisht vetëm për gjyqësorin.

Zogaj: Kundërshtojmë çdo mekanizëm i cili ndërtohet ekskluzivisht vetëm për gjyqësorin

“Ne jemi të hapur për mekanizmat e brendshëm që kanë të bëjnë me vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve, por gjithmonë çdo mekanizmi i cili do të monitorohet nga Këshilli gjyqësor. Kjo në fakt është edhe pavarësia e sistemit gjyqësor e garantuar me Kushtetutën e Republikës të Kosovës por edhe me akte ndërkombëtare. Ne nuk jemi kundër mekanizmave të jashtëm që ka të bëjë me vlerësimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, por kundërshtojmë çdo mekanizëm, i cili ndërtohet ekskluzivisht vetëm për gjyqësorin”, tha ai.

Gjatë kësaj ceremonie, kryesuesi i deritashëm, Skender Çoçaj i uroi kryesuesit të ri mirëseardhje në krye të kësaj detyre duke i uruar suksese në punën e tij.

Në takimin e 259-të me radhë të Këshillit, janë certifikuar rezultatet zgjedhore për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së nga Gjyqësori. Po ashtu, anëtarët e Këshillit aprovuan përgjigjen e Këshillit Gjyqësor në draft konceptin e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e Vetingut.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat