Gjykatat përfunduan rreth 90% të lëndëve më 2020

Aktuale

Gjykatat përfunduan rreth 90% të lëndëve më 2020

Më: 20 mars 2021 Në ora: 13:04
Ilustrim

Pavarësisht përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe ndikimit të saj në reduktimin e veprimtarive të KGJK-së dhe gjyqësorit në përgjithësi, gjykatat e vendit tonë kanë arritur që të përfundojnë një numër të konsiderueshëm të lëndëve që kanë pranuar gjatë vitit të kaluar.

Kësisoj, nga të dhënat zyrtare të publikuara në ueb portalin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se Gjykata Supreme, Gjykata e Apelit dhe shtatë gjykatat themelore në vend, gjatë vitit 2020, kanë pranuar 60668 lëndë dhe prej tyre kanë arritur t’i përfundojnë 53145, ose shprehur në përqindje 87.6%.

Në bazë të këtyre të dhënave, përkatësisht Pasqyrës së Performancës së Gjyqësorit, del se gjatë vitit 2020, Gjykata e Apelit ka arritur shkallën më të lartë të efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve në raport me ato që i ka pranuar.

Kështu, gjatë tërë vitit të kaluar, Gjykata e Apelit kishte pranuar gjithsej 9615 lëndë dhe kishte arritur të përfundonte 10345 të tilla, duke arritur kështu shkallë të efikasitetit prej 107.59%.

Pas Apelit, gjykatat me efikasitetin më të lartë janë Gjykata Themelore e Gjakovës me 100.32%, Gjykata Themelore e Ferizajt me 94.05%, Gjykata Themelore e Mitrovicës me 91.95% dhe Gjykata Themelore e Prizrenit me 88.28%.

Më pas, të dhënat e KGJK-së tregojnë se për vitin 2020, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pasur efikasitet prej 86.36%, e pasuar nga Gjykata Supreme e Kosovës me 84.32% dhe Gjykata Themelore e Pejës me 79.62%.

Përqindjen më të ultë të efikasitetit në përfundimin e lëndëve, të pranuara në periudhën janar-dhjetor 2020, e ka pasur Gjykata Themelore e Gjilanit me 56.3%, që nënkupton se kjo gjykatë nga 7089 lëndë të pranuara ka arritur të përfundoi vetëm 3991.

Kujtojmë që, në këto të dhëna janë paraqitur vetëm llojet kryesore të lëndëve, ato penale, krime të rënda, për të mitur, civile kontestimore, ekonomike dhe administrative.

Ndërsa, shkalla e efikasitetit të gjykatave llogaritet duke pjesëtuar numrin e përgjithshëm të lëndëve të kryera me numrin e përgjithshëm të lëndëve të pranuara, për secilin lloj gjatë një periudhe kohore specifike (muaj, tremujor, vit). Numri që rezulton më pas shumëzohet me 100 për të marrë një rezultat të shprehur në përqindje (%).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat