Alma Lama përkrahë përfshirjen e Albright në dialog: E njeh mirë rajonin dhe është protagoniste në luftën e Kosovës

Aktuale

Alma Lama përkrahë përfshirjen e Albright në dialog: E njeh mirë rajonin dhe është protagoniste në luftën e Kosovës

Më: 4 janar 2021 Në ora: 14:51
Albright

Ish- ambasadorja e Kosovës në Itali dhe ish- diplomatja, Alma Lama, ka thënë se 2020-ta ishte viti më problematik për Kosovën në rrafshin diplomatik.

Lama ka folur rreth dialogut Kosovë- Serbi dhe përfshirjes së Albright në të, si dhe mundësinë  e kërkim faljes së Serbisë për krimet në Kosovë.

Si një ish- deputete e Kuvendit të Kosovës, Lama ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, gjersa shton se ndjehet mirë që njerëzve i mungon zëri i saj.

"Do të ishte fat i madh që zonja Albright të angazhohej në këtë dialog. Ajo e njeh mirë rajonin dhe është protagoniste në luftën e Kosovës. Nuk e di sa i mundshëm do të jetë angazhimi i saj i drejtpërdrejtë, por me ardhjen e administratës Biden, zëri i saj me siguri do të dëgjohet. Po ashtu gjasat janë që për Serbinë të konsiderohet një zgjidhje e papranueshme, por zonja Albright është një diplomate e shkëlqyer, ka autoritetin dhe kredencialet e duhura për të mbyllur përfundimisht kapitullin e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Por kam besim se këdo emisar që do të emërojë presidenti i zgjedhur Biden, do të ketë kredencialet dhe njohuritë e duhura për konfliktin. Edhe për vetë presidentin Biden, që e njeh mirë rajonin, mbyllja e këtij kapitulli besoj se do të jetë prioritet".

E pyetur se a do t’i zbatonte marrëveshjet Serbia me prezencën e Albright?

Ajo u shpreh: "Serbia ka vërtetuar gjatë këtyre 20 viteve të pasluftës se ende nuk është në gjendje të respektojë asnjë marrëveshje, duke filluar nga ato që nënshkruanin krerët e UNMIK-ut me ta, deri te marrëveshja e Ahtisarit që nuk e firmosën, apo ajo e prillit të vitit 2013. Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje të arritur gjatë dialogut të Brukselit, por duke iu përgjigjur pyetjes suaj, procesi i kushtëzimit nëse do të jetë më i fortë, dhe nëse asaj do t’i pamundësohet që të hajë me dy lugë, edhe me perëndimin, edhe me Rusinë e Kinën, besoj se do të detyrohet të respektojë marrëveshjet".

Tutje Lama ka folur edhe se a do të ndikojë Albright që Serbia ta njohë Kosovën apo edhe të kërkojë falje për krimet në luftë?

"Njohja do të ishte hapi i fundit, por deri aty është e rëndësishme, që Serbia të detyrohet të heqë dorë nga shkelja e sovranitetit të Kosovës dhe të heqë dorë nga instrumentalizmi i komunitetit serb. Unë jam për mos lëshim pe për asnjë pikë në raport me rregullimet e brendshme në Kosovës, dhe as në raportet jashtme me të, pasi ajo do të vazhdojë të nxjerrë kërkesa për të defunksionalizuar dhe zhbërë shtetin e Kosovës.  Për sa i përket njohjes, ky më duket se do të jetë proces më i gjatë, dhe kërkon një ndryshim brezash dhe mentaliteti në Serbi. Por mendoj se procesi i anëtarësimit në BE duhet të shoqërohet hapur nga ky kusht, që s’ka anëtarësim pa njohje. Në këtë rast bashkëpunimi me SHBA-në dhe vendet e BE-së është esencial për Kosovën. Nga ana tjetër kërkim falja për krimet e luftës, nëse nuk bëhet me bindje, por me imponim, nuk më duket se ka ndonjë vlerë të madhe. Nëse pjesa më e madhe e politikës dhe popullit serb nuk ndërgjegjësohet për fajësinë e tyre për krimet e tmerrshme që e kanë kryer në Kosovë, raportet mes dy popujve do të vazhdojnë të karakterizohen nga urrejtje dhe mosbesimi."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat