Sekiraqa që një muaj në arrati, Policia nuk tregon nëse ka pistë të re

Aktuale

Sekiraqa që një muaj në arrati, Policia nuk tregon nëse ka pistë të re

Më: 26 qershor 2024 Në ora: 20:50
Enver Sekiraqa

Kanë kaluar mbi një muaj prej kur Enver Sekiraqa i akuzuari për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza ndodhet në arrati.

Në fakt, ai u bë i pakapshëm për Policinë e Kosovës vetëm disa ditë pasi u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Organet e rendit që nga data 17 maj kur edhe u bë e ditur se Sekiraqa ishte arratisur, kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve në gjetjen e tij.

Por as pas një muaji policia nuk ka dhënë ndonjë informacion për këtë çështje.

Televizioni ka dërguar pyetje në këtë institucion, por për dy ditë rresht nuk ka marrë përgjigje.

Megjithatë as pas arratisjes së Sekiraqës, babai i të ndjerit Triumf Riza, nuk e ka humbur shpresën se drejtësia do të vihet në vend.

“Ai mundët me ik ndoshta edhe 10 vjet po pa ra në pranga nuk është qare, se gjanat ndryshojnë nuk shkon gjithmonë në favor të tij, ai pa u zanë nuk është qare, këtë besim e kam unë”, ka thënë babai i Triumf Rizës.

Derisa sipas avokatit Ardian Bajraktari, meqë nuk dihet vendndodhja e Sekiraqës, të vështirë mbeten edhe gjasat për bashkëpunim mes shteteve.

“Do të jetë vështirë e arritshme për faktin se potencialisht ai mund të ndodhet në ndonjë vend që Kosova nuk ka raporte bashkëpunimi për faktin se mundësia e sigurimit të prezencës së tij për tu ballafaquar tutje me epilogun gjyqësor do të jetë vetëm përmes sjelljes në Kosovë përmes mekanizmave të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar”, vlerëson Bajraktari.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës për TEVE1 ka bërë të ditur se gjyqtari Agim Kuqi i cili ndërroi masën e arrestit shtëpiak Sekiraqës dhe e la në liri, vazhdon të mbetet i suspenduar deri në një vendim të ardhshëm.

Televizioni ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga avokati i Enver Sekiraqës, Besnik Berisha por që i njëjti ka qenë i pa qasshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat