Hyseni: Duhet shkarkuar Enver Hasanin

Zgjedhjet 2014

Hyseni: Duhet shkarkuar Enver Hasanin

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 25 korrik 2014 Në ora: 10:10

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i datës 23 korrik 2014, për vendosjen e masave të përkohshme në Kuvendin e Kosovës, lidhur me Mbledhjen konstituive të mbajtur më 17 korrik 2014, me të cilën situata kthehet në gjendjen "zero", ku me këtë veprim, zgjedhja e Isa Mustafës anulohet, por, për çudi, jo edhe ajo e nënkryetarëve, vlerëson analisti politik Nehat Hyseni.

“Pastaj, nuk përmendet fare shkelja e Rregullores së punës dhe normave të Kushtetutës së Kosovës nga zonja Brovina, e cila nuk e përfilli fare rendin e ditës të përcaktuar nga Kryesia e Kuvendit, por procedoi me mbledhjen ashtu si ia mori mendja, duke i dëgjuar "dirigjentët" nga bankat e PDK-së, ku printe shefi i grupit parlamentar Shaip Grabovci, Enver Hoxhaj, i cili ishte ngritur në këmbë dhe me gjestikulacione ia bënte me dije z. Brovina që ta mbyllte seancën e Kuvendit”, thotë Hyseni, për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, qëllimi ishte që të mos procedohet me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhjen e kryetarit, Isa Mustafës, që ishte propozuar nga Koalicioni LDK-AAK-Nisma.

“Me këtë rast, zonja Brovina ra aq ulët me arrogancën e saj duke injoruar deputetët e LDK-së dhe të AAK-së që e kërkonin fjalën, duke dërdëllitur si e hutuar dhe e humbur fare në lojërat dhe skenarët e pista të prapaskenave politike të PDK-së dhe në obstruksionet e saja të pafund, meqë nuk i kishin numrat në Kuvend për të bërë diçka, sepse kishin vetëm 37 deputetë të fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014”, pohon ai.

Sipas tij, z. Brovina ishte e porositur nga partia e saj PDK që ta bllokoj seancën mbi dy orë e gjysmë, duke u pështjelluar e katandisur kështu në një gjendje të mjerueshme morale, herë e mbyllte seancën e herë jepte pauzë, por pa e miratuar askush propozimin e saj.

“Ndërkaq, duket e pabesueshme se si ka mundur Gjykata Kushtetuese të mos e përmend fare sjelljen e këtillë të patolerueshme të z. Brovina dhe shkeljen e Kushtetutës, Rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës, Ligjit dhe etikës e moralit elementar njerëzor e kombëtar të saj. Vallë, a thua Gjykatës Kushtetuese iu dukën këto veprime si joshkelje e dispozitave që i përmenda? Si ka mundur të ndodhë ky gafë i madh i tempullit më të lartë të drejtësisë të këtij vendi të bekuar, Kosovës”, thotë Hyseni.

Ai thotë se, pjesëmarrja e një gjyqtari, z. Kryeziu në aktivitetet elektorale të PDK-së, gjithashtu nuk u shqyrtua murrë!

“Ky gjyqtar, duhej shkarkuar nga detyra e gjyqtarit dhe duhej vënë para drejtësisë. Kurse, kjo çështje u heshtë fare nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duke e komprometuar skajshmërisht ky institucion më i lartë i drejtësisë në vend, para qytetarëve të vet. Si mund të bjerë vendime të paanshme një Gjykata Kushtetuese e Kosovës me gjyqtarët mitant të PDK-së? A është e mundur të ndaj drejtësi dhe të jetë e paanshme kjo Gjykatë?”, potencon Hyseni.

Hyseni thekson se, kredibiliteti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka rënë në pikën më të ulët të mundshme dhe vendimet e saja, si dhe përformanca e saj e tërësishme është në shërbim të haptë të politikës ditore, në rastin ton nën PDK, meqë përbëhet nga gjyqtarë militant të kësaj partie.

“E vetmja gjë shpëtuese dhe racionale në këtë moment që do duhej bërë, është shkarkimi i gjyqtarëve të tillë dhe spastrimi i kësaj gjykate nga elementë të tillë, për t'ia kthyer besimin e popullit tek ajo si palë e paanshme dhe e drejtë. Përndryshe, druaj se Kosova do të zhytet edhe më thellë në amulli dhe kaos politik, duke rrezikuar kështu rezultatet dhe vlerat e arritura deri më tani në ndërtimin e vlerave të mirëfillta dhe demokracisë”, thotë analisti politik Nehat Hyseni.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat