Murati: Zgjidhja ideale e ngërçit politik, zgjedhjet e jashtëzakonshme

Zgjedhjet 2014

Murati: Zgjidhja ideale e ngërçit politik, zgjedhjet e jashtëzakonshme

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 20:54

Valon Murati, sekretar i përgjithshëm në Lëvizjen për Bashkim, ka komentuar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit. Zgjidhjen e ngërçit politik në të cilin po ndodhet Kosova aktualisht, Murati e sheh në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Po flitet për një qeveri teknike apo me bazë të gjerë, që do të kishte një kryeministër të dobët. Ky do të ishte varianti më i keq për vendin dhe stabilitetin e tij politik. Varianti më i mirë, e që do të duhej të ishte pjesë e një vendimmarrje konsesuale, pa marrë parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të ishte që presidentja në bashkëpunim me partitë politike të merreshin vesh që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Murati në një postim në Facebook.

Sipas tij, këto zgjedhje do të ishin përgjigja më e mirë realitetit politik që është krijuar pas zgjedhjeve të qershorit, ndërsa, siç thotë Murati, për të gjithë do të ishte më mirë që të kemi një qeveri stabile dhe cila do të reflektonte realitetet e reja politike.

“Në anën tjetër kjo situatë politike e krijuar pas zgjedhjeve të qershorit, do të duhej që ta vetëdijesonin tërë garniturën politike në Kosovë, për domosdonë e rirregullimit kushtetues të shtetit të Kosovës, i cili shfaq paqartësi dhe nevojë për interpretim edhe për gjërat aq bazike siç është mandatimi i kryeministrit apo zgjedhja e kryekuvendarit. Normalisht, kjo punë nuk është e lehtë, për shkak të fuqisë bllokuese që kanë pakicat, e sidomos serbët në Kuvendin e Kosovës”, përfundon komentin e tij, sekretari i përgjithshëm i LB-së, Valon Murati.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat