Kalaja e Kaninës, i nënshtrohet procesit të mirëmbajtjes - Bota Sot
Kalaja e Kaninës, i nënshtrohet procesit të mirëmbajtjes

Turizëm

E enjte, 21 qershor 2018

Kalaja e Kaninës, i nënshtrohet procesit të mirëmbajtjes

Më: 12 maj 2018 Në ora: 20:49
Kalaja e Kaninës

Kalaja e Kaninës, një objekt historik dhe turistik, 6 km larg Vlorës i është nënshtruar procesit të mirëmbajtjes në kuadër të projektit “Të mbajmë pastër monumentet”.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Vlorë, gjatë kësaj jave ka ndërhyrë në mirëmbajtjen e kalasë së Kaninës.

“Tashmë infrastruktura rrugore nga qyteti i Vlorës drejt fshatit të Kaninës është drejt përfundimit dhe për këtë arsye, këtë sezon të ri pritet të ketë një fluks të madh vizitorësh në kalanë e Kaninës, e cila tashmë është vetëm 5 minuta larg qytetit të Vlorës”, bën të ditur DRKK, Vlorë.

Kjo drejtori ka hartuar një grafik për pastrimin e monumenteve dhe fton të gjithë institucionet, grupet e interesit dhe qytetarët që ti bashkohen kësaj nisme.

Gjatë javës së kaluar në fokus të punimeve mirëmbajtëse ishin monumentet e urës së Slapit, Drashovicë, urës së Frengut në Gjorm, urës së Bratajt dhe në kalanë e Kaninës . Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare – Vlorë.

Kalaja e Kaninës, është përmendur që në shekullin IV. Por, aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëparshme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke.

Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531. Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në këtë zonë, ngrihet një kodër në të cilën gjenden rrënojat e një qyteti të vjetër, atij të Kaninës. Këtu lugina e Lumit të Vlorës shtyhet deri në rrëzë të kodrës duke e lehtësuar tepër lidhjen e zonës bregdetare me atë të thellë.

Kjo kala veç vlerave historike ka sot dhe vlera turistike. Vizitore të shumtë që pushojnë gjatë verës në gjirin e Vlorës, vizitojnë edhe kalanë e Kaninës.

Ky fluks turistik drejt këtij objekti antik sjell dhe një vlerë të shtuar në ekonominë e zonës./ATSH

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test