Cemi, një vlerë natyrore e pashfrytëzuar - Bota Sot
Cemi, një vlerë natyrore e pashfrytëzuar

Turizëm

E hënë, 18 qershor 2018

Cemi, një vlerë natyrore e pashfrytëzuar

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 3 maj 2018 Në ora: 10:19
Lumi Cem

Njëra nga bukuritë  që  ka  vendlindja ime – Trieshi është lumi Cem. Kjo dhuratë e çmuar e natyrës  i jep trevës një pamje të mrekullueshme  e të papërshkrueshme  dhe  qetëson syrin dhe shpirtin e çdo kalimtari apo vizitori të rastit. Lugina e tij e freskët e me gjelbërim, japin ndjenjën e qetësisë dhe relaksit. Po ashtu edhe Kanioni i Cemit i quajtur “ Kolorado” malazeze, i cili fsheh plazhe të bukura  me rërë dhe vorbulla uji,  është atraksion i llojit të veçantë natyror   dhe potencial turistik i Podgoricës dhe i Malit të  Zi. Ky kanion ofron shumë opsione për dashamirët e raftingut, kanoes, kajakimit, ngjitjeve malore dhe peshkimit.

Një shëtitje më këmbë, por sidomos një shëtitje me një mjet të vogël lundrimi do të shpalosë madhështinë e  këtij lumi me rrjedhje të   shpejtë. Një udhëtim i vetëm në brigjet (rajonin) e Cemit të ngjallë ndjenja nderimi të thellë për krijuesin e të gjitha të gjërave , duke përfshirë këtu edhe  sistemin madhështor të  lumit.

Shumë lloje bimësh e peshqish jetojnë përgjatë këtij lumi. Shumë lloje gjallesash priren të afrohen pranë Cemit për shkak të insekteve dhe gjallesave bimore nënujore të bollshme. Shpendë të shumtë enden poshtë e përpjetë lumit duke u ushqyer me peshq, insekte, karkalecë, kërminj dhe kafshata të tjera të shijshme. Edhe njerëzit kanë, gjithashtu, nevojë për Cemin.  Ai banorëve përgjatë tij u mundëson ujin e pijshëm, vaditjen e kulturaave të tyre bujqësore, mbushjen e  tubacioneve, larjen gjatë muajve të verës, peshkimin dhe lundrimin.

Muaji qershor, e veçmas korriku e gushti i shndërrojnë plazhet  e lumit Cem, nga një zonë rurale,  në një mjedis  mjaft atraktiv e të preferuar për pushime  dhe të  populluar nga pushues të   ndryshëm që i pëlqejnë  bukuritë e këtij lumi, ku duhet veçuar Plazhin e Tërgajës ,  i cili është bërë  vend për larje, pushim e rekreacion për banorët e Malësisë  dhe  Podgoricës.

Falë mbi të gjitha larmisë së terrenit, klimës, florës dhe faunës lumi Cem, sikur të  kishte interesim institucional, do të mund të  shfrytëzohet  jo vetëm për turizëm për pushime  pranë lumit, por edhe për lloje të tjera të turizmit  dhe argëtimit. Andaj  do të ishte me interes që në të ardhmen lumi Cem  të ketë një përkujdesje më të madhe nga shteti, duke filluar nga përmirësimi i rrjetit rrugor  përgjatë lumit  dhe  deri tek sigurimi ( ndërtimi ) i kapaciteteve  të mjaftueshme për gjallërimin e tij nëpërmjet nxitjes dhe  shtimit të shërbimeve, që përbën boshtin kryesor të zhvillimit të turizmit në këtë zonë. Derri atëherë Cemi do të jetë një vlerë natyrore e pashfrytëzuar, e cila pret  me padurim valorizimin në drejtim të përshpejtimit të këtij procesi  sa të nevojshëm po aq rë domosdoshëm në të mirë të të gjithëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test