Drejtori i muzeut “Gjergj Kastriot Skënderbeu”: Fluks i lartë turistësh, kryesojnë polakët

Turizëm

Drejtori i muzeut “Gjergj Kastriot Skënderbeu”: Fluks i lartë turistësh, kryesojnë polakët

Më: 6 gusht 2023 Në ora: 08:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Në shtatë muajt e parë të vitit qyteti i Krujës ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Një fluks i lartë vizitorësh është shënuar në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili mbetet një ndër destinacionet kryesore së bashku me pazarin e vjetër.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi tha sot për ATSH-në se në periudhën janar- korrik të këtij viti muzeu u vizitua nga 50 mijë vizitorë vendas e të huaj, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Ndërsa gjatë muajit korrik ky muze u vizitua nga 11 500 turistë vendas e të huaj”, tha Hafizi.

Sipas tij, turistët kryesisht janë nga Gjermania, Italia, Spanja, SHBA dhe Polonia, e cila shënon këtë vit edhe numrin më të lartë të vizitorëve të huaj.

“Ndërkohë që në Muzeun Etnografik po vijojnë punimet për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve. Punimet pritet të përfundojnë në shtator”, tha Hafizi.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është përuruar më 1 nëntor të vitit 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, Principatat Shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat