Berati i një mbi një dritareve, ndër destinacionet e preferuara

Turizëm

Berati i një mbi një dritareve, ndër destinacionet e preferuara

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 15:12
Berati

Qyteti i Beratit vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për turistët e huaj, pa lënë pas edhe ata vendas. Fakti që Berati tashmë është pjesë e UNESCO-s, por dhe vlerat e veçanta kulturore dhe historike që mbart ndër vite, kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve për ta vizituar atë.

Ditën e sotme në qytetin e Beratit kanë mbërritur 5 autobusë me turistë nga Maqedonia, Kosova dhe Ukraina.

Ata janë shpërndarë në Pedonalen e qytetit dhe në rrugicat e lagjeve muzeale Mangalem, Goricë e Kala, duke shijuar bukuritë mahnitëse të Beratit, qytetit të një mbi një dritareve.

Shumica e tyre ishte duke e vizituar Beratit për herë të parë, por kishte edhe nga ata që vinin për herë të dytë në këtë qytet muze dhe të gjithë e kanë cilësuar një qytet antik e tërheqës.

“Shqipëria ka vende shumë të bukura, ka klimë të mirë dhe njerëz mjaft mikpritës. Ky qytet është mahnitës dhe ne me kënaqësi do të rikthehemi sërish për ta vizituar atë por edhe do tua rekomandojmë të afërmve dhe miqve tanë”, shprehen turistët.

Berati ka shënuar në 5 vitet e fundit një numër “rekord” vizitorësh pasi ky qytet, përveç sezonit veror ka turizëm në çdo stinë. Edhe pse situata pandemike ndikoi negativisht një vit më parë, Berati vijon të mbetet një nga destinacionet më të bukura turistike në vend dhe këtë e dëshmon edhe mbërritja e rreth 300 turistëve të parë në Berat ditën e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat