“Tour de France”, arrestohet Di Gregorio

Zgjedhjet 2014

“Tour de France”, arrestohet Di Gregorio

Më: 10 korrik 2012 Në ora: 21:28

Remi Di Gregorio është arrestuar. Çiklisti francez i “Kofidis” u ndalua në hotelin ku ishte akomoduar skuadra në Burg en Bres gjatë ditës së pushimit të edicionit 2012 të “Tour de France”.
Çiklisti francez është marrë menjëherë në pyetje nga xhandarmëria që ka hapur një hetim rreth një trafiku të substancave të ndaluara.
Di Gregorio është i përfshirë në një çështje ku rëndojnë akuzat e përdorimit të mundshëm të dopingut dhe hetimi nuk lidhet me garën e këtij viti, por me faktet e qershorit të vitit 2011, kur ai garonte për skuadrën nga Kazakistani, Astana.
26-vjeçari është përfshirë në hetime pas një përgjimi telefonik, ku figuron një telefonatë e kryer nga telefoni i çiklistit drejt anëtarit të një organizate që merrej me trafikun e substancave të ndaluara.
Ashtu si konfirmohet edhe nga Prokuroria e Marsejës, kaq ka mjaftuar që për Di Gregorio-n të hidhej akuza si i dyshuar për doping. Ndërkohë, ndaj dy personave që dyshohet se janë në rrethin e furnizuesve me substanca të ndaluara, aktualisht është marrë masa e shoqërimit.
Menjëherë pas aksionit të policisë, skuadra “Kofidis” ka bërë të ditur se pezulloi Remi Di Gregorio deri në përfundim të hetimeve, ndërsa bëhet e ditur se nëse akuzat do të konfirmohen, çiklisti do të pushohet menjëherë, ashtu si parashikohet edhe në kontratë për çështje të tilla.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat