Aksioni i ujit, Bashkia e Tiranës: Të vendosur për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme - Bota Sot
Aksioni i ujit, Bashkia e Tiranës: Të vendosur për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme

Tirana

E hënë, 19 shkurt 2018

Aksioni i ujit, Bashkia e Tiranës: Të vendosur për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme

Më: 23 janar 2018 Në ora: 22:14
Grupet e punës së Bashkisë së Tiranës vazhdojnë punën në terren

Në kuadër të aksionit kundër lidhjeve të paligjshme dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm, që ka nisur prej korrikut të vitit të kaluar, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës vazhdojnë punën në terren për verifikimin e shkeljeve, ndërkohë që njoftohet se në pikat e UKT-së është rritur numri i qytetarëve, që paraqiten për pagimin e faturave të prapambetura, apo për lidhjen e kontratave të reja.

Nënkryetari i Bashkisë së kryeqytetit, Arbjan Mazniku u ka bërë thirrje qytetarëve që deri më 31 janar të formalizojnë lidhjet e tyre.

“UKT-ja, si pjesë e fushatës mbarëkombëtare për reformën e ujit, ka nisur prej kohësh aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe lidhjen e kontratave të reja, për të gjithë ata qytetarë apo kompani që kanë lidhje uji të paligjshme. Ka pasur një përgjigje shumë të madhe nga ana e njerëzve për të gjithë këtë sipërmarrje dhe gjatë këtyre dy ditëve, vërtet kemi një volum shumë të madh njerëzish në secilën prej pikave të Kujdesit ndaj Klientit. U bëjmë thirrje qytetarëve, që deri në datën 31 janar të aplikojnë dhe të lidhin kontratat e tyre”, tha Mazniku.

Kjo, sepse nga muaji shkurt, grupet e “task forcës” do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike, një shenjë kjo e vullnetit të Bashkisë së Tiranës për disiplinimin e përdorimit të ujit dhe përmirësimin e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm.

“Kontrollet do të vijojnë edhe gjatë muajve shkurt e mars. Lidhjet e paligjshme do të ndërpriten, qofshin këto për biznese apo individë. UKT-ja është angazhuar që ky proces të jetë sa më i butë, sa më i mirë, por nga ana tjetër mbetemi të vendosur që çdo person, i cili merr shërbimin e ujit, çdo kompani që merr shërbimin e ujit, ta paguajë atë në mënyrë të rregullt. Uji është një shërbim, i cili kushton për t’u ofruar, ndaj dhe duhet paguar nga kushdo”, nënvizoi Mazniku.

Prej korrikut, kur nisi aksioni, arkëtimet janë rritur me 17%. Deri në datën 31 dhjetor 2017 janë evidentuar dhe është ndërprererë furnizimi me ujë në 5.935 subjekte familjare apo privatë që furnizoheshin me ujë nëpërmjet lidhjeve të paligjshme.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test