Arratisja e 30-vjeçarit nga komisariati i policisë, pezullohen tre punonjës policie

Tirana

Arratisja e 30-vjeçarit nga komisariati i policisë, pezullohen tre punonjës policie

Më: 5 janar 2021 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar tre punonjës policie pas arratisjes nga komisariati Nr. 1 të 30-vjeçarit Riljon Lalaj, pak minuta para se policia ta shoqëronte drejt Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. Sipas News24 për rastin në fjalë vijon hetimi disiplinor.

Njëkohësisht vijon edhe hetimi nga SHÇBA për të parë nëse kemi të bëjmë me përgjegjësi penale.

HETIMET

Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje ka nisur hetim edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Tiranës. Është marrë në pyetje efektivi i Policisë, të cilit iu largua 30-vjeçari i arrestuar më herët për armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve, efektivi është shprehur se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt, ndërsa atë moment gjendej i vetëm dhe se nuk mundi dot ta parandalonte. Ndërkohë, mësohet se 30- vjeçari është larguar me shpejtësi nga dera e pasme e Komisariatit Numër 1, duke humbur gjurmët nëpër rrugicat e lagjes. Për orë të tëra, efektivët e “Shqiponjave” dhe patrullës së Komisariatit kanë bërë krehje të zonës, por pa dhënë asnjë rezultat. I riu u zhduk nga sytë e punonjësve të Policisë, ndërsa tani ai do të përballet në Gjykatë edhe për akuzën e arratisjes nga komisariati i Policisë.

ARRATISJA

Riljon Lala ishte dërguar për të dhënë shenjat e gishtave në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, aty ku qëndronte i arrestuar prej dy ditësh, rreth orës 08:00 të mëngjesit. Pas këtij veprimi procedural, Lala do të dërgohej në Gjykatën Penale të Tiranës, në të cilën do të njihej me masën e sigurisë.

Atë moment, Riljon Lala ishte pa pranga, ndërsa ruhej nga një oficer Policie. Momentin që do të jepte shenjat e gishtave, 30-vjeçari ka përfituar nga rasti dhe është arratisur me shpejtësi nga dera e pasme e Komisariatit Nr. 1. Sipas rregullores, ai duhej të ishte i shoqëruar nga dy oficerë, ndërsa në rastin konkret shoqërohej vetëm nga një efektiv. Zyrtarët e Komisariatit Nr. 1 kanë zhvilluar një mbledhje urgjente për zbardhjen e rastit, ndërsa deri tani nuk ka dyshime për arratisje të organizuar.

Policia ka nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 30-vjeçarit, po ashtu hetimi ka filluar edhe nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme. Gjykata Penale e Tiranës, caktoi ndërkohë masën “Arrest me burg” në mungesë për 30-vjeçarin, i cili ishte arrestuar ditën e shtunë. 30- vjeçari Riljon Lala u arrestua në përpjekje për t’u larguar me armë me vete, në lagjen “Ali Demi”, vetëm dy ditë më parë. Personi në fjalë, në momentin që ka parë patrullën e Policisë, e cila po lëvizte në zonë, ka nisur të vrapojë, ka hedhur armën në tokë dhe ka tentuar të largohet. Ai është kapur gjatë ndjekjes nga ana e efektivëve të Policisë dhe arma që posedonte është sekuestruar. Lala akuzohet për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat