Wimbledon mbaron shpejt për Williamsin

Tenis

Wimbledon mbaron shpejt për Williamsin

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 11:31
Venus Williams

Pas dy vitesh, Venus Williams lajmëroi rikthimin e bujshëm në turneun e Wimbledon aty ku tenistja amerikane ka mundur të fitojë në pesë raste.

Por, turneu këtë herë përfundoi më shpejt se sa mund ta kishte menduar 43-vjeçarja dhe tifozët e saj duke qenë se ajo u eliminua në raundin e parë nga Elina Svitolina me ukrainasen që e mundi Venus në dy sete me shifrat 4-6 dhe 3-6.

Megjithatë, rezultati mund të ishte ndryshe pasi Venus Williams nuk pati fatin në anën e saj dhe vetëm pas tre lojërave të para dëmtoi gjurin.

Amerikania u nis me shpejtësi drejt rrjetës, por aty rrëshqiti duke dëmtuar gjurin. Ulërimat e legjendës në tenisin e femrave e bënë të qartë shkallën e dëmtimit, megjithatë 43-vjeçarja nuk pranoi të tërhiqej dhe vijoi ndeshjen, por që e pati të pamundur për ta përballuar në aspektin fizik dhe në fund përfundoi e eliminuar.

Pas sfids, Williams u shfaq e pasigurt rreth së ardhmes së saj në tenis ndërsa shtoi se dëmtime të tilla janë të vështira për t’u kaluar jo vetëm në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik.

Tani më duhet të mendoj pak për planin e së ardhmes, jam e shokuar dhe nuk më besohet ajo që më ndodhi. Kam bërë shumë mungesa së fundmi dhe nuk është kjo ajo çfarë dua për veten. Ai rrëzim, nuk e di si ta shpjegoj, nuk bëra asgjë gabim thjesht u afrova në rrjetë.

Këto dëmtime janë pak të vështira për t’u menaxhuar si në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik e emocional. Nuk dua t’ja vendos fajin terrenit, unë isha ajo që rrëshqita dhe mendoj se ishte fat i keq për mua.

Për mua ishte sfiduese të luaja e dëmtuar, e kam bërë edhe herë të tjera dhe kam fituar. Por, nuk ishte dita ime këtë herë”, u shpreh Venus Williams.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat