Kuqezinjtë në histori

Futboll

Kuqezinjtë në histori

Më: 8 korrik 2016 Në ora: 15:15
KF Shkëndija

Shkëndija fiton 1:2 edhe në Cracovi të Polonisë dhe bën historinë duke avancuar për herë të parë në raundin e dytë të Europa League me rezultat të përgjithshëm 4:1. Sërish realizon Ibraimi, ndërsa në kohën shtesë kapiteni Hasani bën magji dhe shënon për fitore dhe histori të ‘kuqezinjve’. Ekipi që ‘nuk fitonte’ asnjë ndeshje kontrolluese në fazën përgatitore në Slloveni, kalon me shumë klas në raundin e dytë, duke mundur dy herë përfaqësuesin e favorizuar të Polonisë MKS Cracovia. Triumfit 2:0 në Shkup, ‘kuqezinjtë’ i shtojnë edhe një triumf 2:1 në mes të Cracovit, duke shkruar moment historik për Shkëndijën dhe kualifikim për herë të parë në raundin e dytë të një kompeticioni evropian. ‘Kuqezinjtë’ edhe pse vinin në Poloni me epërsi prej dy golave, ashtu si që paralajmëruan nuk nisën ndeshjen të orientuar në mbrojtje, përkundrazi duke sulmuar dhe duke kërkuar golin e epërsisë. Ibraimi dhe Alimi kishin kanosjet e para nga aksione kur mund të sillnin epërsinë, mirëpo këto shanse ishin vetëm paralajmërim i asaj që do të pasonte në minutën e 13-të. Shkëndija sjell kundërsulm të shpejtë me Todorovskin që për mrekulli me diagonale gjen në zonë Ibraimin, ndërsa sulmuesi nuk gabon dy herë resht dhe kësaj rradhe çon topin në rrjetë për epërsi 0:1 të Shkëndijës. Këtu thuajse përfundoi historia e këtij dueli në lidhje me ekipin që do të kalonte në raundin e dytë, pasi Cracovia kishte nevojë për fitore 4:1 që me këtë Shkëndijë të karikuar si kurrë më parë s’kishte si të ndodhte. Në vazhdim vendasit u hodhën në sulm duke kërkuar rastin e tyre, mirëpo përkundër disa mundësive të mira në pauzë ‘kuqezinjtë’ shkuan me epërsi 0:1. Në pjesën e dytë vendasit provuan gjithçka dhe vazhdimisht sulmonin, ndërsa në minutën e 68-të arrijnë të barazojnë në 1:1. Centarski godet nga gjuajtja e lirë, ndërsa topi ndryshon kahje nga Demiri dhe ndalet në rrjetën e Zahovit të zënë në hap të gabuar. Goli dhe barazimi detyroi vendasit që të shpresojnë në mrekulli, mirëpo Shkëndija e vendosur mirë në zonën e saj mbrohej me sukses, ndërsa në kundërsulm kërkonte golin e dytë, pasi edhe pse barazimi i çonte më tej, suksesi historik sikur u impononte futbollistëve dëshirën për të shënuar fitore edhe në këtë ndeshje. Gjithsesi goli i triumfit erdhi në minutën e 3-të të kohës shtesë, kur kapiteni ‘Buba’ Hasani sjell një tjetër magji, duke kaluar për mrekulli gjithë mbrojtjen kundërshtare, ndërsa arrin të përcjell topin në rrjetë pas asistit perfekt të Zhuniorit. 1:2 për Shkëndijën, që me dy fitore dhe rezultat të përgjithshëm 4:1 fiton Cracovian dhe avanson në raundin e dytë të Liga Evropës ku do të përballet me Nefçin nga Azerbajxhani.

Cracovia-Shkëndija 1:2 (0:1)
Stadiumi: “Marshal Jozef Pilsudski” në Krakov të Polonisë.
Shikues: 7.000
Arbitër: Gunnar Jarl Jonsson (Islandë)
Arbitra anësorë: Johann Gunnar Gudmunsson dhe Gunnar Sverrir Gunnarson (Islandë)
Golashënues: Cetnarski 68’ (Crakovia) , ndërsa Ibraimi 13’ dhe Hasani 90’ + 3’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Stablecki dhe Budzinski (Cracovia), ndërsa Radeski, Vujçiq dhe Cuculi (Shkëndija)
Cracovia: Sandomierski, Voicicki, Polczak, Volakievicz, Deleu, Çovilo, Dabrovski (Dabrovski 46’), Vestenicky (Stablecki 46’), Budzinski, Karachankov (Stablecki 51’), Jendrisek.
Trajner: Jacek Zielinski
Shkëndija: Zahov, Todorovski, Bejtullai, Cuculi, Demiri, Alimi (Pollozhani 71’), Radeski (Taipi 84’), Vujçiq, Hasani, Zhunior, Ibraimi (Juffo 88’).
Trajner: Bruno Akrapoviq

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat