Telekom Albania nis ofrimin e internetit më të shpejtë, 4G+

Teknologji

Telekom Albania nis ofrimin e internetit më të shpejtë, 4G+

Më: 1 shtator 2015 Në ora: 18:38

Shtatori 2015 shënon çeljen e një epoke tjetër teknologjike në Shqipëri nga Telekom Albania. Tashmë, kompania ka nisur ofrimin e internetit më të shpejtë të gjeneratës së katërt (4G), fuqia e së cilës arrin në 225 Mbps. Fillimisht ky shërbim do të ofrohet në 7 qytete kryesore të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Vlorë, Korçë) për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin e vendit. Në këtë mënyrë Shqipëria bëhet një ndër vendet e para në Europë që ofron 4G+.

Sipas Drejtorit të Divizionit Teknik në Telekom Albania, Rauf Elmas, Telekom Albania ka tashmë kapacitetet për t’u ofruar abonentëve këtë zhvillim të ri botëror. “Funksionet e rrjetit 4G+ të Telekom Albania bëjnë të mundur ofrimin e shpejtësive më të larta të komunikimit për abonentët me pajisjen që suporton 4G+, 225 Mbps shpejtësi shkarkimi të të dhënave, e cila do të rritet më tej në të ardhmen e afërt. Përdoruesi do të shohë në ekranin e celularit LTE+ ose 4G+”, thotë zoti Elmas.

Telekom Albania do të ofrojë edhe celularët e zgjuar (smartphone) dhe modem-ët e internetit të përshtatshëm për këtë teknologji të fjalës së fundit. Elmas shprehet se “ofrimi i shërbimeve 4G+ realizohet në kuadër të zbatimit të strategjisë së Deutsche Telekom për ruajtjen e superioritetit teknologjik, superioritet i cili garanton eksperiencën më të mirë për përdoruesit e rrjetit tonë. Shërbimet 4G+ janë implementuar në një kohë rekord dhe duke nisur nga sot (1 shtator), abonentët tanë kanë mundësi t’i përjetojnë realisht”. Shërbimi 4G+ ofrohet fillimisht për planet me kontratë, për t’u shtrirë më pas edhe tek pajtimtarët me parapagesë.

Ashtu si në të kaluarën, Telekom Albania do të vazhdojë të ofrojë për abonentët e tij shërbimet më të avancuara të teknologjisë botërore. Si pjesë e grupit Deutsche Telekom, Telekom Albania përfaqëson, inovacionin, teknologjinë më të përparuar të komunikimeve dhe standardet më të larta të cilësisë së shërbimeve.

Rreth Telekom Albania

Telekom Albania filloi operacionet komerciale në 1996, me emrin komercial Albanian Mobile Communications. Në 2008 iu bashkua Grupit Deutsche Telekom dhe në 2015 përqafon identitetin e brandit Telekom. Telekom Albania, me produkte moderne, inovacion të përhershëm në përputhje me zhvillimet e reja teknologjike dhe çmimet më konkurruese, është shndërruar në ofrues të rëndësishëm të komunikimit dhe inovacionit cilësor në Shqipëri.

Rreth Deutsche Telekom

Deutsche Telekom është nga kompanitë e integruara të telekomunikacionit lider në botë, me rreth 151 milionë abonentë celularë, 30 milionë linja të rrjetit fiks dhe mbi 17 milionë linja broadband (deri më 32 dhjetor 2014). Grupi Deutsche Telekom ofron rrjet fiks, komunikim cellular, produkte dhe shërbime internet dhe IPTV për konsumatorë, si dhe zgjidhje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për abonentët biznes dhe korporatat. Deutsche Telekom është i pranishëm në mbi 50 vende dhe ka rreth 228 000 punonjës në mbarë botën. Të ardhurat e Grupit Deutsche Telekom në vitin financiar 2014 ishin 62,7 miliardë euro dhe mbi 60% e kësaj shume u gjenerua jashtë Gjermanisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat