Facebook prezanton asistentin e tij dixhital. Quhet “M”!

Teknologji

Facebook prezanton asistentin e tij dixhital. Quhet “M”!

Më: 27 gusht 2015 Në ora: 15:06

Facebook po kërkon të jetë diçka më shumë se një rrjet social ku ju shpërndani statuse apo fotot me miqtë tuaj. Ditën e djeshme, Facebook filloi të testojë publikisht asistentin e saj dixhital. Ky asistent dixhital jeton’në aplikacionin Messenger dhe njihet me emërtimin ‘M’. Përmes këtij asistenti dixhital ju mund të rezervoni në restorantin tuaj të preferuar, të blini produkte në Amazon apo edhe të organizoni pushimet tuaja.

Deri më tani ‘M’ është i disponueshëm vetëm për një grup të vogël përdoruesish të Messenger në San Francisco por Facebook ka si qëllim që ky asistent të përdoret nga 700 milion përdorues në të ardhmen. Edhe pse ka shumë pak orë që është lançuar, ata që tashmë e kanë përdorur janë shprehur se ky asistent dixhital është më i mirë se ai i Apple, Google dhe Microsoft. Kjo për vet faktin se ndërkohë që Siri dhe Google Now përdorin algoritma kompjuterik për tu përgjigjur pyetjeve tuaja, M i Facebook funksionon në sajë të inteligjencës artificiale e cila trajnohet dhe survejohet nga skuadra e Facebook. Pra është një grup i caktuar njerëzish në prapaskenë që kujdeset që M të përgjigjet korrektësisht.

Për më tepër M është i aftë të japë drejtime për destinacione të ndryshme apo gjatë udhëtimeve. Siri dhe Google Now për krahasim nuk funksionojnë si asistent human apo agjent udhëtimi. Gjithashtu është e rëndësishme të kuptojmë që Siri nuk është e njëjta gjë me M. Asistenti i Apple integrohet me kontaktet, kalendarin dhe aplikacionet e tjera në pajisjet iOS ndërkohë që M mund të kryejë vetëm detyra apo të përgjigjet për gjëra që kanë lidhje me ekosistemin e Facebook dhe aplikacionin Messenger. Pra Siri dhe M ofrojnë një eksperiencë të ndryshme për përdoruesin. Ekspertët janë shprehur skeptikë për mënyrën se si M do të përballet me tregun dhe sa potencial do të ketë ajo për miliona përdoruesit e Facebook. (PC World Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat