Rreziku i abuzimit me fëmijët në botën virtuale

Teknologji

Rreziku i abuzimit me fëmijët në botën virtuale

Më: 18 shkurt 2015 Në ora: 00:12

Fëmijët mund të shantazhohen apo të bien pre e abuzimit në botën virtuale dhe të dhënat e një studimi të kryer në Shqipëri japin alarmin për këtë rrezik. Rreth 47 për qind e fëmijëve që i përkasin moshës 13 deri në 18 vjeç, janë kontaktuar online nga një individ dhe në 40 për qind të rasteve ata janë shtetas të huaj.

Një pjesë e madhe e fëmijëve tregojnë se shpesh përballen me pamje pornografike, të cilat shfaqen në kompjuterat e tyre në mënyrë të padëshiruar. “Vjedhja e llogarisë në Facebook, përdorimi i fotografive në mënyrë tallëse, kontaktimi nga persona të panjohur dhe shikimi i materialeve jo të përshtatshme, janë disa nga problemet më madhore.

Ka nevojë që prindërit të kenë mundësi vendosjen e filtrave në kompjuterat e tyre, si ta monitorojnë atë, ndërkohë shteti shqiptar duhet të ketë persona kompetentë për të vëzhguar këtë problem”, – thotë Eridiona Stana, këshilltare për Mbrojtjen “Word Vision”. 32% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan që, nëse do të lëndoheshin online, më pak të mundshmit për t’iu kërkuar ndihmë do të ishin mësuesit e tyre.

Ekspertët kërkojnë që në zyrën e krimeve kompjuterike të ketë specialistë që merren me rastet e abuzimit. Të vendosen filtra për programet që janë të padëshiruara, në mënyrë që të bllokohen të tilla programe për fëmijët. “Një shok i shkollës shkarkoi disa foto të miat nga Facebook-u, i ndryshoi, i zmadhoi dhe i ngjiti te palestra e shkollës, që t’i shihnin edhe të tjerët.

Të gjithë filluan të qeshnin. Doja të ankohesha te mësuesit, por edhe ata qeshnin. U ndjeva shumë keq…”. Kjo ishte vetëm një nga historitë e vërteta (ndodhur në një nga shkollat e Tiranës) që u nda publikisht nga fëmijët dhe prindërit pjesëmarrës në Forumin Kombëtar ‘Interneti që duam“. Ky forum u organizua nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “World Vision”.

Në fjalën e saj, ministrja Milena Harito theksoi se“Interneti jo gjithmonë përdoret për qëllime pozitive dhe lufta për të patur një botë virtuale të sigurt është tashmë e domosdoshme. Për këto arsye, ne kemi bërë efektive Agjencinë e Sigurisë Kibernetike, e cila ka një rol koordinues për të nxjerrë gjithë problematikat që hasen, si dhe për të parashikuar masat që duhen marrë.

Për të intensifikuar dhe rritur masat për një internet të sigurt, po gjatë kësaj jave dedikuar internetit të sigurt, ne nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit me Policinë e Shtetit. Me këtë hap jemi duke punuar bashkërisht në nivel sensibilizues, informues por edhe në marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e keqpërdorimit të internetit”. Gjatë Forumit u paraqit edhe një draft-rezolutë me këshilla të fëmijëve dhe të prindërve se si duhet të jetë interneti që ata duan në Shqipëri.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat