Një aplikacion online për të luftuar depresionin

Teknologji

Një aplikacion online për të luftuar depresionin

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 00:24

Adoleshentët që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor, si ankthi dhe depresioni, do të mund të përdorin aplikacione online, për t’u trajtuar. Kjo është nisma më e fundit e ndërmarrë nga qeveria britanike.

Ministri i Shëndetësisë në Britani, Norman Lamb, deklaroi se qeveria po kërkon për mënyra të reja për të modernizuar shërbimet që merren me trajtimin e problemeve mendore, sidomos tek adoleshentët, meqë ata janë përdorues të rregullt të internetit.

"Nëse je një adoleshent dhe bota jote vërtitet rreth botës digjitale, duhet të të sigurojmë një mënyrë për të marrë terapi në internet", tha Norman, i cili shtoi se mjekët zakonisht japin antidepresantë, pasi nuk ka metoda alternative trajtimi.

Ky program i ri ka si qëllim t’ju ofrojë adoleshentëve që vuajnë nga problemet mendore një trajtim të pandërprerë. Kështu, adoleshentët nuk do të kenë nevojë të presin për muaj të tërë për të bërë terapi tek psikologu. Ka edhe shërbime që do t'i trajtojnë ata adoleshentë që do të shfaqin probleme serioze.

Ndërkohë, shumë të tjerë janë shprehur kundër kësaj nisme për trajtimin e sëmundjes, pasi sipas tyre, personat me probleme mendore kanë nevojë për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me mjekët dhe nevojën e marrjes së ilaçeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat