​Bllokohet mistreci.com, faqja e famshme që transmetonte filma me titra shqip

Teknologji

​Bllokohet mistreci.com, faqja e famshme që transmetonte filma me titra shqip

Më: 1 tetor 2014 Në ora: 22:56

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në Shqipëri ka bllokuar faqen "mistreci.com" e cila transmetonte filma me titra shqip. Të njëjtin fat e kishin edhe 35 faqe të tjera që publikojnë filma të tillë.
Nëpërmjet Facebook, Mistrec ka njoftuar publikun derisa vendimin e AEKP e quan jo ligjor.

Ja njoftimi i plotë i Mistreci

Të dashur miq të Mistreci.com,

Vetëm pak ditë më parë një vendim nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) i ka dhënë urdhër të gjitha ISP-ve në Shqipëri për bllokimin e menjëhershëm të faqes Mistreci.com dhe 35 faqeve të tjera që publikojnë filma me titra shqip.

Në një link që ka qenë gjithmonë në faqen tonë të parë ne kemi sqaruar kushtet e përdorimit të faqes tonë. Çdo video e vendosur në faqen tonë është e hostuar diku tjetër; ne thjesht vendosim link-un ose kodin e integruar, pra njëlloj si të vendosim një video nga Youtube.

Na vjen vërtet keq që një institucion shqiptar vendos të bllokojë vetëm faqet shqiptare, ndërsa faqe të huaja që ekzistojnë prej më shumë se 10 vjetësh vazhdojnë të jenë të pabllokuara.

Na vjen keq gjithashtu për faktin që ndër Top 100 faqet më të klikuara dhe të pabllokuara në Shqipëri vazhdojnë të jenë faqe të tjera me filma për të rritur. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh që me një kërkim të thjeshtë në motorin e kërkimit Google shfaqet çdo lloj përmbajtjeje “e jashtëligjshme” sipas kritereve të AKEP.

Në sytë tanë, kjo nismë e AKEP e afron Shqipërinë pranë vendeve si Turqia, Egjipti, Siria dhe Kina, në të cilat praktikat e censurës në internet janë të përditshme. Kërkesa e AKEP nuk bazohet në asnjë vendim gjykate, por në një kërkesë të dyshimtë dhe aspak transparente të grupeve të interesit.

A është vërtet Mistreci.com një faqe e dëmshme? A është vërtet faqja jonë e paligjshme? A duhet të bllokohet Mistreci.com? Këtë e vendosni JU!

Na ndiqni në fanpage tonë në Facebook për njoftime të mëtejshme!

Me respekt,

Stafi i Mistreci.com

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat