Ekipi olimpik i të rinjve të Kosovës i mbylli garat në Hungari

Sporti

Ekipi olimpik i të rinjve të Kosovës i mbylli garat në Hungari

Më: 28 korrik 2017 Në ora: 18:48
Pamje nga gara e xhudos

Ekipi olimpik i të rinjve të Kosovës i ka mbyllur garat në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që po mbahet në Hungari. Pavarësisht pritjeve, sidomos nga sporti i xhudos, Kosova mbeti edhe më tutje pa fituar medalje në Festivale të tilla, edhe pse kjo ishte vetëm pjesëmarrja e dytë.

Sot, shpresat ishin tek xhudisti, Shpat Zeka, i cili i nisi mirë garat, duke triumfuar ndaj Oleg Mirov me ippon, në kategorinë deri 90 kilogram. Më pas, u përballë në çerekfinale me gjeorgjianin, Mikheili Bekauri, nga i cili pësoi humbje. I njëjti fitoi medaljen e artë.

Lufta e ardhshme ishte ajo e repesazhit, ku Shpati triumfoi në mënyrë maestrale ndaj lituanezit, Deivis Ciuciounais me ippon, por sfida e ardhshme me rumunin, Eduard Serban, doli të jetë e pakalueshme. Pas një pakujdesie, kundërshtari e mposhti me ippon, duke shuar shpresën për medalje.

Një ditë më parë, Laura Fazliu, doli e pesta në kategorinë -63 kilogram të xhudos, duke u kualifikuar deri në gjysmëfinale. Ajo arriti suksesin më të madh të garuesve tanë në “Gyor 2017”.

Në orët e pasditës së sotme, i fundit që mori pjesë në gara ishte atleti, Alaudin Suma. Ai për pak nuk arriti të kualifikohet në finale, në hedhjen e diskut. Pas tri hedhjeve, Suma, gjuajtjen më të mirë e pati 42.58 metra. Ai doli i nënti nga 10 garues.

“Nuk jam i kënaqur me rezultatin. Konkurrenca ishte e fortë, por me punë mund të shkoj edhe më tutje”, tha Suma. Në Gyor, Kosova u përfaqësua me katër sportistë të katër sporteve të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat