Vllaznia, moti i keq dëmton stadiumin Reshit Rusi

Sporti

Vllaznia, moti i keq dëmton stadiumin Reshit Rusi

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 00:53

Moti i keq, me rreshje të dendura, por mbi të gjitha era e fort kanë dëmtuar stadiumin Reshit Rusi në Shkodër. Për të disatën herë, rrjeta mbrojtëse e fushës, që ndodhet në pjesën pas portave është dëmtuar.

Klubi është angazhuar menjëherë që të nisë punën për riparimin e pjesëve të dëmtuara të stadiumit, për të mos rrezikuar ndeshjen e së shtunës përballë Partizanit.

Sipas burimeve zyrtare pranë ekipit në Shkodër, stadiumi do të jetë gati sipas parametrave të kërkuar nga federata dhe përballja me pretendentët për titullin kampion do të luhet normalisht.

Prej motit të keq dhe problemeve në impiantin Reshit Rusi, Vllaznia u detyrua ti zhvillonte përgatitjet e së mërkurës në fushë mini-futbolli. Një mënyrë për ti dhënë ngarkesën e plotë fizike skuadrës, pavarësisht se trajneri Armando Cungu dhe stafi teknik do të kishin preferuar që puna taktiko-fizike të zhvillohej në fushë të madhe.

Përballë Partizanit Vllaznia kërkon ti rikthehet rezultateve pozitive, pas humbjes së pësuar me Teutën gjatë fundjavës. Optimizmi në radhët e shkodranëve nuk mungon.

Kjo edhe për faktin se Jetmir Sefa dhe Ardit Krymi do të kthehen në dispozicion të ekipit pas skualifikimit me kartonë, ndërsa shpresëdhënëse është edhe gjendja e Polizoi Arbrit. Megjithëse shqetësimet që ndjen në gjurin e djathtë, mbrojtësi beratas pritet të zbresë normalisht në fushë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat