Skënderbeu-Kukësi, kryendeshja e javës së 20-të

Sporti

Skënderbeu-Kukësi, kryendeshja e javës së 20-të

Më: 6 shkurt 2016 Në ora: 21:53

Përballje e zonës së lartë në orën 13:00 në Korçë, ku Skënderbeu pret Kukësin, një takim mes dy skuadrave që kanë prenotuar vendet e para në këto sezonet e fundit. Këtë herë në Korçë edhe pse bora nuk ka munguar nuk do të jenë “Ujqërit”, ndeshja luhet me dyer të mbyllura për tifozët, por kjo nuk përbën një alibi për kampionët që kërkojnë reagimin e menjëhershëm pas disfatës që pësuan me Vllazninë, me Mirel Josën që mund t’i rezervojë debutimin si titullar Orelesit, ndërsa në dispozicion për të formuar digën e mesfushës pritet të jetë dhe Sabien Lilaj, ndërsa në sulm projektohet dyshja Salihi-James. Në kampin e Kukësit, Duro kërkon të ndryshojë edhe trendin negativ të këtij sezoni për ndeshjet në transfertë.

Fusha e kampionëve nuk është ajo idealja, por verilindorët do të kërkojnë fitoren edhe për të tentuar parakalimin e Tiranës në klasifikim. Bardheblutë në të njëjtën orë do të jenë të impenjuar në një transfertë delikate me Laçin, kundërshtar nga i cili ruajnë kujtime të hidhura, takim për të cilin pritet që Ilir Daja të ripropozojë sulmin që fitoi ndaj Tërbunit me Elis Bakajn të mbështetur nga Muzaka e Gilman Lika, ndërkohë që në dispozicion me grupin është rikthyer edhe Ervin Bulku.

Sipari i javës së 20-të ulet me takimin e orës 16:00 mes Teutës dhe Vllaznisë, dy skuadra që paraqiten me humore të kundërta në “Niko Dovana”. Skuadra e Maganit ka humbur shkallë në renditje pas humbjes minimale me Flamurtarin, ndërsa te Vllaznia ka ecuri për nisjen me këmbën e mbarë me Cungun në stol, një duel tejet interesant për frymën që përcjellin në skuadrat respektive të dy trajnerët edhe pse me objektiva të kundërt, me Teutën që ëndërron Europën, ndërsa Vllaznia për t’i shpëtuar sa më shpejt me garanci matematikore “etheve” të mbijetesës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat